Drejtësia

‘Plumbi i Artë’/ SPAK kërkon dëshmi me dyer të mbyllura për Nuredin Dumanin, të pandehurit dhe avokatët braktisin seancën

Gazeta Si - Prokuroria e Posaçme ka kërkuar që dëshmia e të penduarit të drejtësisë Nuredin Dumani, në lidhje me procesin për “Plumbin e Artë” të realizohet pa praninë e mediave dhe procesi të vijojë me dyer të mbyllura.

Kërkesa e SPAK nuk është mirëpritur nga të pandehurit e tjerë, të cilët kanë deklaruar se duan që gjithçka të zhvillohet me praninë e mediave.

“Dua që fjala ime të jetë transparente dhe seanca të zhvillohet me dyer të hapura. Kërkoj që media te jetë prezente në sallë”, u shpreh i pandehuri Petrit Qoli.

Ndërkohë avokatët kanë theksuar se nuk ekzistojnë shkaqe të ligjshme që procesi të vijojë me dyer të mbyllura.

"Media është arbitri i dytë në këtë sallë gjykimi, pasi nuk ka shkaqe të ligjshme për të mbyllur dyert e gjykatës, kur i penduari i drejtësisë, ka dhënë më shumë se gjysmën e dëshmisë”, kanë deklaruara ata.

Pas këtyre kërkesave, Gjykata ka nxjerrë mediat jashtë seancës për të siguruar dëshminë e të penduarit Nuredin Dumani. “Përbën sekret hetimor”, tha gjyqtarja.

Pas kësaj largohen edhe të pandehurit nga kafazi i xhamtë i gjykatës, e po ashtu ikin edhe avokatët duke krijuar kaos në Gjykatën e Posaçme.

Prokuroria e Posaçme ka mbyllur në jnarin e vitit 2024 hetimet dhe ka dërguar çështjen në gjykatë për 20 të pandehur në kuadër të dosjes “Plumbi i Artë”.

Mes personave që do të gjykohen, janë Nuredin Dumani, Henrik Hoxha, Erion Alibej, Skerdi Tase dhe 16 të pandehur të tjerë.

Ata janë të dyshuar për një seri vrasjesh, atentate të mbetur në tentativë, apo vjedhje me dhunë, ngjarje të cilat u zbardhën pas dëshmisë së bashkëpunëtorit të drejtësisë Nuredin Dumani.

Ky i fundit akuzohet si autor i 9 vrasjeve dhe tentativave për vrasje, si dhe tre raste të tjera të vjedhjeve me dhunë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë