Drejtësia

Plumbi i Artë/ Porositi vrasjen e gruas për 120 mijë euro, avokati Alban Bengasi arrestohet në Rinas. Po kthehej nga Dubai

Avokati Alban Bengasi është arrestuar nga policia shqiptare pas shpalljes së kërkimit për lidhjet e tij me krimin e organizuar.

Bengasi u ndalua në Rinas teksa po hynte në Shqipëri. Arrestimi i tij është në kuadër të operacionit të famshëm ‘Plumbi i Artë’, i njëjti me atë të arrestimit të Nuredin Dumanit.

Ishte ky i fundit ai që dëshmoi se Bengasi kishte paguar 120 mijë euro për vrasjen e gruas së vet dhe se ka manipuluar prova të 2 vrasjeve.

Bengasi po kthehej nga Dubai, pas një viti në kërkim nga autoritetet vendase.

Sipas dosjes hetimore, Bengasi dyshonte se e shoqja e kishte tradhtuar me shokun e ngushtë. Ngjarja u zbardh pas dëshmisë tronditëse të dhënë për SPAK nga i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani i cili rrëfeu se fillimisht Bengasi kishte kërkuar që gruaja e tij Blerta Bengasi të dhunohej dhe t’i shkaktoheshin dëme të shumta.

Operacioni i koduar “Plumbi i Artë”, ka nisur menjëherë pas arrestimit të shumë të kërkuarit Nuredin Dumani, i cili u kap gjatë operacionit policor të koduar “Arratia”. Dumani i konsideruar një nga personazhet më të kërkuar të botës së krimit, u arrestua në Fier më 29 mars 2022 pas një tentativë të dështuar për të vrarë Talo Çelën. Bashkë me të, u vu në pranga ushtari i tij, Henrin Hoxhaj që e ndihmoi në arratinë e shkurtër. Dëshmitë e tyre dhe provat e gjetura në telefonin e Dumanit që mbeti i plagosur në përballjen me Talo Çelën, ndihmuan SPAK në zbërthimin e grupeve kriminale dhe vrasjeve të organizuara kriminale të një dekade nga viti 2011 deri në 2022.

Materialet procedurale i kaluan SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë