Gazeta Si – I penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani, është kundërshtuar këtë të martë gjatë dëshmisë së tij nga të pandehurit e tjerër që akuzohen për krime nga ai në GJKKO në kuadër të procesit gjyqësor “Plumbi i Artë”.
Seanca u zhvillua me tone të ashpra pas deklarimeve të Nuredin Dumanit, pasi të akuzuarit pretendojnë se thëniet e të penduarit nuk qëndrojnë dhe nuk kanë bazë provueshmërie.
Një nga të pandehurit, Gentjan Sharra, ka theksuar se në kohën kur e implikon Nuredin Dumani, ai ka patur biznese, ka marrë tendera 2 milionë Euro, ka poseduar një automjet 50 mijë euro dhe nuk ka patur nevojë të merrte pjesë në një grabitje për të përfituar disa mijëra Euro, të cilat do të ndaheshin.
Ndërsa Petrit Qoli, pretendoi se prej 3 vitesh mbahet i arrestuar nga deklarimet e Dumanit dhe ka lënë jashtë një grua që e dashuron.
Ndërkohë Enver Diva i ka kërkuar gjykatës që pas përfundimit të dëshmisë së Dumanit, gazetarët të lejohen në sallë për të pasqyruar versionin e tyre.
Seanca e radhës do të vijojë pas dy ditësh, të enjten, kur do të dëgjohet sërish dëshmia e bashkëpunëtorit të drejtësisë.
Prokuroria e Posaçme ka mbyllur në janarin e vitit 2024 hetimet dhe ka dërguar çështjen në gjykatë për 20 të pandehur në kuadër të dosjes “Plumbi i Artë”.
Mes personave që do të gjykohen, janë Nuredin Dumani, Henrik Hoxha, Erion Alibej, Skerdi Tase dhe 16 të pandehur të tjerë.
Ata janë të dyshuar për një seri vrasjesh, atentate të mbetur në tentativë, apo vjedhje me dhunë, ngjarje të cilat u zbardhën pas dëshmisë së bashkëpunëtorit të drejtësisë Nuredin Dumani.
Ky i fundit akuzohet si autor i 9 vrasjeve dhe tentativave për vrasje, si dhe tre raste të tjera të vjedhjeve me dhunë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.