Gazeta Si – Ish-shefi i krimeve në Policinë e Elbasanit, Leonard Palushi është dënuar me 4 vite burg për korrupsion pasiv nga Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Por, duke përfituar nga gjykimi i shkurtuar, ai do të vuajë 2 vite dhe 4 muaj heqje lirie. Përveç dënimit me burg, GJKKO i ka ndaluar që të ushtrojë funksione publike për 5 vite.
Palushi u arrestua një vit më parë, në kuadër të operacionit “Golden bullet”, (Plumbi i Artë) mes 31 urdhër arresteve të tjera, por gjykimi i tij u krye veçmas.
Në gjykatë, ish-shefi i Krimeve kërkoi pafajësi, duke këmbëngulur se është zyrtar i ndershëm që i ka shërbyer vendit.
Por gjykata, nga provat dhe dëshmitë e administruara, kërkoi dënimin e tij për çështjen e pistoletës që hodhi në vendngjarjen, ku u vra Emiljano Ramazani.
Palushi dyshohet se shiste informacione tek grupet kriminale dhe dekonspironte operacionet e policisë.
Sipas SPAK, në vitin 2020, Palushi ka krijuar raporte me të hetuarin Erjon Alibej dhe ka marrë tërthorazi prej tij përfitim të parregullt.
Palushi akuzohet për orientim të gabuar të hetimit, duke shpërdoruar detyrën lidhur me vrasjen e Emiljano Ramazanit.
Për vrasjen e tij, u arrestuan 4 persona, mes tyre edhe babë e bir, A. dhe S. Manahasa nga Peqini, pasi u dyshua se në servisin e tyre u gjet e njëjta armë zjarri e përdorur në krim.
Por nga ana tjetër, sipas Nuredin Dumanit, vrasja ishte kryer nga Skerdi Tase dhe Henrik Hoxhaj me porosi të Erjon Alibejt.
Ky i fundit, porositi vrasjen, pasi kishte informacione se Ramazani kishte bashkëpunuar në atentatin që iu bë vëllait të tij, Endrit Alibej në Elbasan tre vjet më parë, ku humbën jetën edhe dy persona të tjerë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.