Drejtësia

‘Plumbi i Artë’, gjykata refuzon lirimin e ish-drejtuesit të policisë në Elbasan

Gazeta Si – Gjykata e Posaçme ka refuzuar kërkesën e ish-drejtuesit të policisë Leonard Palushi për ndryshim të masës së sigurisë, i arrestuar gjatë operacionit “Plumbi i Artë”.

Palushi kërkoi masën “Arrest shtëpie” për arsye familjare pasi njeri nga fëmijët e tij do të kryente një operacion por gjykata nuk e pranoi kërkesën e tij.

Ai akuzohet nga SPAK për orientim të gabuar të hetimit, duke shpërdoruar detyrën për vrasjen e Emiljano Ramazanit, ngjarje e ndodhur në Elbasan.

Ish-oficeri u arrestua pas dëshmisë së Nuredin Dumanit, si pjesë e operacionit “Plumbi i Artë” ku u evidentuan 8 grupe të rrezikshme kriminale në Tiranë, Durrës dhe Elbasan.

Dyshohet se Palushi bënte “lojë të dyfishtë”, duke shitur informacion te grupet kriminale, si dhe duke dekonspiruar aksionet e nisura nga policia dhe prokuroria.

Sipas SPAK, dyshohet se Klevis Kapllanaj, ka shfrytëzuar rastin të njihej me Manahasat dhe pasi u pagua nga Erjon Alibej, futi një armë pistolete TT, në servisin e familjes Manahasa, që ndaj tyre të ngrihej gabimisht akuza për vrasje.

Grupi hetimor, ka faktuar lidhjen e Palushit me Erjon Alibejn, që ndër të tjera ai vetë e ka pranuar se kishte njohje me të dhe disa herë e ka takuar edhe në banesë, duke qenë se ai ishte me masë sigurie “arrest me burg” për një tjetër vepër penale dhe konkretisht “vrasje të mbetur në tentativë”.

Një plan i mirëmenduar, por që më pas, për shkak te hetimit, doli se kishte mungesë provash për fajësinë e Manahasave në krim,  të cilët u liruan dhe morën pafajësinë nga SPAK.

Besohet se ish-polici ka ndihmuar Alibejn që të fusin në kurth Seit Manhasën me Talo Çelën, pasi mendohej se këta dy persona kishin shoqëri me njëri-tjetrin.

Për zbulimin e këtyre grupeve kriminale, hetuesit tërhoqën dhe analizuan 18 dosje penale që datojnë që në vitin 2011. Hetimet vijojnë ende, ndërsa nga 32 urdhër-arreste, janë ekzekutuar 18 prej tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë