Ngjarje

‘Plotësisht i pafajshëm’ / Naim Murseli mohon vrasjen e Liridonës, por e zbulon bashkëpunëtori: I shita armën e krimit

Nga Gazeta ‘Si’ – Në seancën fillestare për vrasjen e Liridona Ademajt, bashkëshorti i saj Naim Murseli ka deklaruar se është “plotësisht i pafajshëm” për vrasjen e saj. Murseli akuzohet se ka përgatitur planin për ta vrarë Liridonën më 29 nëntor të vitit 2023, ngjarje që tronditi mbarë opinionin publik. Granit Plava akuzohet si doras, ndërsa Kushtrimi Kokalla, ish-pjesëtar i Forcës së Sigurisë (FSK), akuzohet se ka dhënë ndihmë në kryerjen e veprës penale. Të tre janë në paraburgim.

I akuzuari Kokalla tha sot se nuk deklarohet pa u konsultuar me avokatin, Granit Plava tha se zgjedh të mbrohet në heshtje, por ndërkaq është Tom Dodaj ai që ka pranuar fajësinë duke e nxjerrë zbuluar Murselin.

Dodaj është përfshirë në akuzë, pasi i ka shitur armën Murselit, me të cilin më pas është kryer vrasja e Liridona Ademajt.

Gjyqtarja e rastit, Fatime Dermaku, tha se nëse gjenden fajtorë Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla mund të dënohen nga 10 vjet e deri me burgim të përjetshëm.

Naim Murseli në gjykatë

Ndërkaq, Tom Dodaj u dënua me 5 vjet.

Seanca fillestare për këtë rast ishte parashikuar të mbahej më 27 janar, por u ndërpre pak pasi nisi për shkak se avokatët e dy të akuzuarve thanë se nuk kishin pranuar me kohë shkresat e lëndës.

Gjatë shqyrtimit fillestar më 31 janar, Prokuroria ka lexuar aktakuzën që rëndon ndaj katër të akuzuarve. Aty thuhet se Naim Murseli kishte premtuar 30.000 kompensim për vrasjen e bashkëshortes së tij, Liridonës, dhe madje e kishte mbajtur me njërën dorë, që ajo të mos shmangte plumbin.

Prokuroria: Naim Murseli planifikoi vrasjen e Liridonës

Duke folur për pjesën e aktakuzës ndaj Naim Murselit, prokurorja Javorka Përlinçeviç, tha se Murseli kishte bërë plan për ta vrarë Liridonën nga mllefi dhe në shenjë hakmarrjeje, pasi çifti kishte pasur “raporte të çrregulluara familjare dhe martesore”.

Prokuroria tha se më 25 qershor 2022, është paguar polica e sigurimit jetësor për Liridonën në vlerë prej 3.000.000 kruna suedeze me qëllim që pas vdekjes së saj, Naim Murseli të përfitonte këtë sigurim.

Prokuroria tha se Naimi ia ka shpalosur planin e tij të akuzuarit Kushtrim Kokalla, për vrasjen e bashkëshortes dhe ka kërkuar nga ai që të gjejë mënyra për ta realizuar.

Më pas në këtë çështje, sipas Prokurorisë është përfshirë Granit Plava dhe të tre janë pajtuar që Plava ta kryejë vrasjen dhe Murseli do ta kompensonte me një shumë prej 30 mijë eurosh.

Ndërkaq, përfshirja e Tom Dodajt është bërë më 29 nëntor 2023, kur Murseli ka blerë një pistoletë dhe 20 fishekë nga ai, në vlerë prej 280 eurosh, armë që është përdorur për vrasjen e Liridonës.

Vrasja, tha Prokuroria është kryer në intervalin kohor nga 19:00 deri në 20:18, në vendin e dakorduar mes tre të akuzuarve, e inskenuar në atë formë me qëllim që të dukej si grabitje.

“….Naimi në mënyrë dinake me dorën e tij të djathtë ka mbajtur Liridonën në krahun e dorës së saj të majtë, me qëllim që ajo mos t’i shmanget plumbit, pas çka, Naimi me fëmijët kanë dalë nga vetura dhe është larguar nga vendi i ngjarjes”, tha Prokuroria.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë