Trajneri i Kombëtares, Edi Reja, ka shpallur listën e lojtarëve të grumbulluar për dy ndeshjet e radhës eliminatore të Euro 2020 ndaj Turqisë dhe Moldavisë, të dyja në transfertë. Është një listë plot surpriza nga ana e trajnerit italian, me mungesa “big”-ësh dhe me risi.
Mungon sërish sulmuesi Armando Sadiku, edhe pse javët e fundit ka luajtur dhe ka shënuar me Malagën në Spanjë. Në listë mungojnë emrat e Mërgim Mavrajt, sikurse pritej, Taulant Xhakës dhe Myrto Uzunit, të cilët kanë edhe një shans, pasi janë në “stol”. Bashkë me disa të tjerë ata janë në listën e lojtarëve të gatshëm, që do të thotë se nëse trajneri do të ketë nevojë për shkak të ndonjë dëmtimi, mund t’i thërrasë. Në këtë listë bën pjesë edhe sulmuesi i Çelsit dhe Kombëtares U-21, Armando Broja. Mes lojtarëve të grumbulluar janë katër portierë, diçka e çuditshme.
Grumbullohen në Kombëtare Lorenc Trashi, Lindon Selahi dhe Taulant Seferi dhe këto janë risitë e Rejas për këto dy ndeshje. Lindon Selahi është 20 vjeç dhe luan me Tuenten në Holandë, kurse Seferi, ish-lojtar i ekipit Shpresa, luan në Zvicër me Nojshatel Ksamaks. Selahi, me sa kuptohet, konsiderohet zëvendës i Xhakës, pasi luan në qendër të mesfushës. Xhaka nuk luajti në ndeshjen me Islandën dhe lënia e tij jashtë me siguri do të krijojë polemika, ashtu sikurse edhe lënia jashtë e Sadikut. Seferi luan si sulmues anësor dhe mund të bëjë rolin e Grezdës, për të cilin nuk bëhet fjalë ende të thirret në Kombëtare. Trajneri Reja e ndoqi nga afër Trashin ndaj Teutës dhe duket se i është mbushur mendja ta grumbullojë.
Ndryshimet ishin parashikuar në listën e trajnerit Reja, por jo kaq të shumta. Lënia jashtë e Sadikut dhe Uzunit ishte e papritur dhe nga kjo listë e fundit kuptohet se trajneri ka nisur një revolucion total.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.