Partia Demokratike akuzon Kryeministrin Edi Rama dhe kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj se inskenuan mbushjen e Durrësit me plehra për t’i dhënë inceneratorit të Tiranës 100 milionë euro shtesë për trajtimin e tyre.
“Mbushja e Durrësit me plehra dhe djegia e tyre masive në Manzë ishte një shfaqje e inskenuar e mafias së plehrave. Ajo është një shfaqje kriminale e Edi Ramës dhe e Erion Veliajt për të çuar 100 milionë euro në inceneratorin e tyre në Sharrë. Mafia e plehrave, me në krye Edi Ramën, kishte llogaritur me saktësi skenarin për të çuar 100 milionë euro para publike në xhepat e Edi Ramës, Erion Veliajt, Arben Ahmetajt dhe Taulant Ballës”, deklaroi nënkryetari i PD-së, Edi Paloka.
Paloka shpjegon katër hapat që u ndoqën, e që sipas tij, provojnë ekzistencën e një plani të mirëfilltë për këtë.
“Në kulmin e pandemisë, mbyllën venddepozitimin e mbetjeve në Porto Romano, përmes një tenderi të paracaktuar nga Edi Rama. Më pas, shpërndanë në disa vende të dukshme mbetjet e Durrësit. Pastaj, mafia e la Durrësin pa pastruar, në mënyrë që qytetarët të mërziten dhe të mos interesohen për aferën korruptive 100 milionë euro për largimin e plehrave nga qyteti dhe në fund, i dogjën plehrat publikisht, duke shkaktuar një katastrofë mjedisore në Manzë, në një zonë që merr vëmendjen si nga Tirana, ashtu edhe nga Durrësi”, deklaroi ai.
Opozita akuzon se mafia e plehrave në Shqipëri është fshehur pas një kompanie fantazmë të regjistruar në parajsat fiskale, ndërsa thotë se në vend të kalimit të këtyre parave për inceneratorët duhej të ndërtohej një landfill modern.
“Me këmbënguljen e Edi Ramës, shteti shqiptar do t’i kalojë 100 milionë euro për plehrat e Durrësit, kur fare mirë, mund të kishte ndërtuar një landfill modern që zgjidhte problemet mjedisore dhe të pastrimit të qytetit që përballon fluksin më të madh turistik në vend. Me firmën e Edi Ramës dhe Erion Veliajt, shqiptarët do t’u paguajnë 3 inceneratorëve, të Tiranës, Elbasanit dhe të Fierit 500 milionë euro, gati aq sa mori borxh dje kreu i mafias së plehrave”, tha Paloka.
Me mbylljen e venddepozitimit të plehrave të Porto Romanos, Bashkia e Durrësit nuk ka arritur ende që të gjejë një vendgrumbullim të tyre, ndërsa një pjesë e tyre u dogjën dhe groposën pranë zonës së Manzës, që çoi në protestë banorët vendas.
Kryeministri Edi Rama njoftoi pak ditë më parë se një marrëveshje po diskutohet për të transportuar mbetjet e Durrësit në landfillin e Sharrës.
Ndërkohë, Këshilli Bashkiak i Durrësit u mblodh dhe shpalli gjendjen e emergjencës për shkak të plehrave, që kanë pushtuar qytetin. Vendimi i hap rrugë shtrimit të kërkesës për ndihmë dhe ndërhyrje nga ana e Qeverisë dhe lëvrimit të fondeve për të përballuar këtë emergjencë. Mbetet për t’u parë se sa do të jenë këto fonde nga ana e Qeverisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




