Ne rrjet

PlayStation dhe rikthimi si okulist, mërgimi i artë i Assadit mes elitës së pasur ruse

Gazeta Si – Pas 14 viteve lufte civile, 600 mijë viktimave dhe 14 milionë refugjatëve, ish-presidenti sirian Bashar al-Assad duket se po kthehet te pasioni i tij i hershëm për okulistikën (diagnostikimin, trajtimin dhe kirurgjinë e sëmundjeve dhe çrregullimeve të syrit).

Në mërgimin e tij në Moskë, ish-diktatori po mëson rusisht, por më shumë po kërkon një certifikatë për t’ju rikthyer profesionit të tij si okulist.

Sipas informacioneve të gazetës “The Guardian”, Assad mund të synojë klientë në elitën ruse. Nuk ka nevojë për para, ato nuk i mungojnë, por oftalmologjia (okulistika) gjithmonë ka qenë pasioni i tij. Pas përvojës së pushtetit, ai ka mundësinë të kthehet te dashuria e parë: kujdesi për sytë.

“Vini të pini një çaj te ne, burri im do t’ju kontrollojë presionin e syve”, mund të thotë bashkëshortja e tij, Asma fqinjëve të rinj.

Sot, familja Assad jeton pranë elitës të pasur dhe të fuqishme të Rusisë, në zonën prestigjioze “Rublyovo-Uspenskoye”, në perëndim të Moskës, një nga zonat më të shtrenjta të banimit në botë. Vila luksoze dhe zonat e mbrojtura ofrojnë privatësi të plotë.

Luksi i familjes është i garantuar nga vite të tëra pasurimi, jo vetëm i Basharit, por i të gjithë familjes. Megjithatë, ai rrezikon të mbetet i izoluar nga bota për shkak të rregullave të vendosura nga Vladimir Putin për pritjen e tij: intervista të pakta dhe të kontrolluara, profil i ulët, pa aktivitet politik dhe ndërhyrje minimale në regjimin e ri sirian.

Për Putinin, më e rëndësishme është marrëdhënia me qeverinë e re të Damaskut dhe ruajtja e bazave ushtarake ruse në Siri.

Pa perspektivë për t’u rikthyer në pushtet, si e kalon kohën ish-presidenti Bashar al-Assad? Për të, oftalmologjia është një “rrugë kthimi” 31 vite pas.

Në vitin 1994, vëllai i tij Basel, i preferuar nga prindërit dhe i përgatitur për të komanduar dhe drejtuar aparatin represiv të krijuar nga babai i tyre Hafez, vdiq në një aksident automobilistik.

Bashar, i cili nuk kishte treguar ndonjë interes për politikën apo aftësi kriminale si vëllai Basel dhe vëllai tjetër Maher, u detyrua të largohej nga Londra dhe të braktiste profesionin për një kurs të shpejtë drejt pushtetit të trashëguar.

Ai u bashkua me ushtrinë, u bë zyrtar dhe komandant në Liban dhe pas vdekjes së babait në vitin 2000, u bë president.

Në vitin 2011, gjatë shpërthimit të Pranverës Arabe, thuhet se nëna e Basharit, Anisa, e shtyu djalin që hezitonte, të vepronte. 

“Bëhu burrë, vepro si babai yt, shtypi ata”. I bindur, Bashar mbikëqyri vite të tëra represioni, tortura dhe shkatërrimi.

Sot, ish-presidenti nuk është parë në publik në Moskë. Ai bën një jetë jashtëzakonisht private: studion, shkon në universitet, luan PlayStation dhe pak gjëra të tjera.

Bashkëshortja e tij, Asma duket e shëruar nga leukemia me të cilën luftoi për vite me radhë dhe është parë në diskutimin e diplomës së vajzës, Zein al-Assad, së bashku me fëmijët e tjerë.

Familja është parë gjithashtu duke bërë blerje në dyqane ekskluzive dhe ka marrë disa leje për të udhëtuar në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku jetojnë shumë të njohur të tjerë të mërguar nga Siria, si ata. Megjithatë, për momentin, vetëm Putin ka garantuar sigurinë e ekzilit të Basharit.

Ëndrra e Asadit është të rikthehet të kujdeset për sytë e të tjerëve, madje edhe të operojë, pasi thuhet se kishte dorë të mirë për këtë.

Ashtu si në kohën e Londrës, pasioni i tij për oftalmologjinë e bën të mos mendojë për pasojat që mund të ketë për të.

Tani, rrëzimi i mundshëm i Putinit ose një ndryshim tjetër i madh politik, mund ta detyrojë të merret me mbrojtjen ligjore përpara një gjykate ndërkombëtare për krime lufte.

Burimi: “Corriere della Sera”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë