Gazeta Si - SPAK ka mbyllur hetimet për deputetin e Partisë Socialiste Plarent Ndreca, i cili është marrë i pandehur për akuzën e “shkeljes pabarazisë në tenderë”.
Përmes avokatit të tij, Ermal Yzeiraj, SPAK i ka komunikuar akuzën e shpërdorimin të detyrës për “shkelje të barazisë në tenderë”.
“Duke iu përgjigjur interesit të gjerë publik, ju komunikojmë se më dt.25.10.2024, të pandehurit, Plarent Ndreca, i është komunikuar, përmes avokatit të tij, përfundimi i hetimeve për procedimin penal nr.240/2021 për veprën penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga nenet 258 dhe 25 të Kodit Penal. Më shumë detaje do të vijojnë në një moment të dytë”, deklaroi SPAK në një njoftim zyrtar.
Ndreca akuzohet për abuzim me një tender për rikonstruksionin e 4 komisariateve të policisë gjatë kohës që mbante pozicionin e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Brendshme.
Kallëzimi në SPAK u bë pas një raporti të kryer nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili dyshon se zyrtarët kanë lejuar mospërputhje dhe devijime ligjore në garën për ndërhyrje në Komisariatet e Vlorës, Mirditës, Pogradecit dhe atij nr. 4 në Tiranë
Sipas KLSH-së, gjatë kontrollit u gjetën mospërputhje dhe devijime ligjore, si pasojë e shkeljeve të dispozitave ligjore në procedurat e prokurimit publik, të cilat kanë cenuar barazinë e pjesëmarrësve në tenderë.
Gjithashtu, raporti vëren se ka pasur edhe rritje të paargumentuar të vlerës së kostove të ndërtimit dhe kostove të projektimit në procedurën e prokurimit. Procedurat janë kryer kur kjo ministri drejtohej nga Sandër Lleshaj.
Po nëse Ndreca shpallet fajtor, çfarë rrezikon? Ai do vazhdojë procesin gjyqësor nëse çështja kalon për gjykim, duke u proceduar në gjendje të lirë, ndërsa marzhi i dënimit për këtë vepër penale është deri në 4 vjet heqje lirie.
Ndreca u betua si deputet në Kuvendin e Shqipërisë në janar të këtij viti, ku zëvendësoi ish-zv.kryeministrin Arben Ahmetajn, i shpallur në kërkim për çështjen e inceneratorëve. Aktualisht, Ndreca është edhe nënkryetar i Komisionit Hetimor për Koncesionet në Shëndetësi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.