Analize

Plani Thaçi-Vuçiç, një republikë e pavarur serbe në Kosovë?

Ndryshimi i kufijve dhe shkëmbimi i territoreve mes Kosovës dhe Serbisë ka qenë pa dyshim kryefjala e muajit që po lëmë pas, duke ngritur jo pak shqetësime për zhytjen e rajonit në konflikte të mëtejshme etnike. Por sipas ekspertëve perëndimorë, dy “misionarët” kryesorë të kësaj teze, Alexandër Vuçiç dhe Hashim Thaçi, nuk po planifikojnë vërtet ndryshimin e kufijve. "The Economist" shkruan se "plani i tyre i vërtetë mund të jetë njohja e pavarësisë së Kosovës nga qeveria serbe në këmbim të dhënies së një lloj autonomie serbëve që jetojnë brenda territorit të Kosovës. Sipas ekspertëve, kjo do t’u mundësonte serbëve që jetojnë në Kosovë të formojnë një republikë të pavarur, të ngjashme me Republikën Sprska në Bosnjë".

Sipas "The Economist", gjithçka duket se nisi gati 20 vjet më parë, kur fundi i luftërave jugosllave la qindra mijëra njerëz në shtete që nuk i konsideronin si atdheun e atyre. Por misionarët e paqes të dërguar nga Perëndimi e kishin të qartë se riorganizimi i kufijve do të çonte në të tjera konflikte të përgjakshme. Si rezultat, rreth 120,000 serbë mbeten në Kosovën e dominuar nga shqiptarët dhe rreth 60,000 shqiptarë që jetojnë në luginën e Preshevës, në Serbi. Presidentët e dy vendeve kanë kohë që shprehen të etur për shkëmbimin e territoreve, edhe pse me tone të kujdesshme duke iu druajtur reagimeve të BE-së dhe Amerikës. Por tanimë kjo ka ndryshuar.

“The Economist” shkruan se Federica Mogherini dëshiron një marrëveshje për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga qeveria serbe, deri në fund të mandatit të saj si Përfaqësuese e Lartë e BE-së, dhe një shkëmbim territoresh mund të jetë një nga mënyrat më të shpejta për arritjen e një marrëveshjeje. As Amerika nuk e kundërshton më këtë ide, të paktën jo sipas John Bolton, Këshilltarit të Sigurimit të Presidentit Trump. Zyrtarët në Serbi dhe Kosovë nga ana tjetër duket se po përpiqen t’i japin fund gjithçkaje para zgjedhjeve parlamentare europiane në maj. Për më shumë se një muaj, Hashim Thaçi, presidenti i Kosovës dhe “miku i tij më i mirë” në këtë nismë, Aleksandër Vuçiç kanë bërë deklarata konfuze për një marrëveshje të mundshme. Pavarësisht aludimeve të shumta, për të gjithë u bë qartë se dy krerët e shteteve po planifikonin të shkëmbenin Veriun e pasur të Kosovës me Luginën e Preshevës.

Shqiptarët e rajonit në Ballkan (me jeshile) dhe serbët (me të kuqe)

Por sipas “The Economist”, në të vërtetë as Thaçi dhe as Vuçiç nuk kanë ndërmend të ndryshojnë kufijtë. Gazeta britanike shkruan se shumë analistë besojnë dy presidentët po përgatiten për një marrëveshje të re, sipas të cilës serbët që jetojnë në Kosovë do të kenë një farë autonomie, në shkëmbim të njohjes së pavarësisë së saj.

“Edhe pse do të jetë një marrëveshje që do të urrehet nga të dyja palët, së paku udhëheqësit e tyre do të jenë në gjendje të thonë se kanë ruajtur territorin”, shkruan “The Economist.

Por nëse Kosova dhe Serbia ndryshojnë vërtet kufijtë, çfarë do të ndodhte me Maqedoninë, ku një e katërta e popullsisë është shqiptare? Dhe ç'të themi për Bosnjën, ku Milorad Dodik, lideri i Republikës Sprska kërkon me ngulm pavarësinë nga Bosnja? I pyetur nga gazeta britanike për rrezikun e konfliktit, Shaip Kamberi, kryebashkiaku shqiptar i Bujanocit në luginën e Preshevës thotë se: "Nuk po hapim Kutinë e Pandorës. Ne jemi vetë kutia! "

Haradinaj dhe Veseli kundër Thaçit

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka qenë një nga kundërshtarët më të mëdhenj të tezës së hedhur nga Presidenti Thaçi, duke deklaruar se ndryshimi i kufijve të Kosovës mund të bëhet vetëm me luftë dhe çështja e vetme që mund të diskutohet me Serbinë është njohja reciproke.  Por, pas takimit me Presidentin, mbrëmjen e djeshme Haradinaj ka bërë një tjetër paralajmërim të fortë në përmes një postimi në faqen e tij në Facebook, ku shprehet se ndryshimi i kufijve do të ishte një ftesë për tragjedi të reja në Ballkan, pasi çon në destabilizim dhe pasiguri në rajon. Shefi i ekzekutivit të Kosovës thotë se do të qëndrojë i palëkundur kundër idesë së hedhur nga Thaçi dhe u bën thirrje ndërkombëtarëve që të kundërshtojnë rishikimin e kufijve.

Alexandër Vuçiç dhe Hashim Thaçi dhe Federika Mohgerini 

“Diskutimi i vazhdueshëm publik mbi e kufijve dhe shkëmbimin e territoreve është një ftesë për tragjedi të reja në Ballkan, i cili çon në destabilizim, pasiguri dhe rrezikon investimet afatgjata politike dhe të sigurisë për stabilitetin dhe paqen në Kosovë dhe rajon.

Si Kryeministër i Republikës së Kosovës do të vazhdoj fuqishëm të qëndroj kundër këtyre ideve shkatërruese dhe u bëj thirrje të gjitha vendeve mike dhe institucioneve ndërkombëtare kontribuese për Kosovën, që të kundërshtojnë idetë shkatërruese dhe të mos lejojnë që ato të arrijnë në tryezën e vendimmarrjes”, shprehet Haradinaj.

Kryeministri nënvizon gjithashtu edhe përpjekjet e Kosovës për t’iu bashkuar institucioneve ndërkombëtare, duke theksuar që çmimi që shqiptarët e Kosovës kanë paguar për paqen është shumë i shtrenjtë dhe nuk duhet të hidhet poshtë për asgjë. Haradinaj shkruan ndër të tjera se: “Për më shumë se dy dekada, populli i Kosovës është përkushtuar të përballet me trashëgiminë e dhimbshme të së kaluarës shkatërruese dhe të kaloi në frymën e pajtimit dhe faljes dhe është i vendosur për mbrojtjen, promovimin dhe respektimin e diversitetit në vendin tonë. Të shtyrë nga objektivi ynë strategjik për t'u integruar plotësisht në familjen euroatlantike, ne kontribuojmë në vazhdimësi për një pajtim të qëndrueshëm që lejon rajonin tonë të lëvizë përtej konflikteve të së kaluarës sonë dhe të krijojë lidhje të reja të bashkëpunimit rajonal. Kemi qenë të vendosur dhe kemi punuar pandalshëm, në veçanti, për të vendosur marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët tanë, duke përfshirë Republikën e Serbisë. Kemi paguar një çmim të shtrenjtë për paqen që kemi sot dhe ne nuk duam të hyjmë përsëri në skenarë të rrezikshëm për të rifilluar një ndërhyrje të re të NATO-s.”

Një reagim i ngjashëm ka ardhur ditën e sotme edhe nga edhe Kryetari i PDK-së, dikur partia e Hashim Thaçit. Kadri Veseli ka dalë kundër idesë së Presidentit për “korrigjimin e kufijve”, përmes një konference të jashtëzakonshme. Sipas Veselit, idetë e fundit janë skenar jashtë interesave të Kosovës dhe partnerëve të vendit.

“Ngritja e kësaj teme të rrezikshme, do ta dëmtojë Kosovën - tha kryeparlamentari Veseli në konferencën e jashtëzakonshme duke nënvizuar edhe qëndrimin  e partisë së tij mbi këtë çështje- Temat e ndarjes nuk i japin fuqi Kosovës, por krijojnë panik dhe pasiguri tek qytetarët tanë. Shteti dhe integriteti i Kosovës janë të shenjta.”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë