Drejtësia

Plani për vrasje të dyfishtë në Vlorë, Apeli i GJKKO lë në fuqi dënimin për Leonard Luzin dhe bashkëpunëtorët e tij

Gazeta Si – Gjykata e Posaçme e Apelit la në fuqi vendimin për Leonard Luzin dhe dy bashkëpunëtorët e tij, të cilët tentuan të vrisnin Inez Hajrullën dhe Ervis Matodashajn në Vlorë.

Në këtë mënyrë, Luzi do të vuajë përfundimisht 7 vite e 4 muaj burg. Muharrem Koroveshi për shkak të gjykimit të shkuartuar do vuajë 6 vite e 8 muaj në qeli, ndërsa i penduari i drejtësisë, Amarildo Nikolli alias Xhenje, do të vuajë, me gjykim të shkurtuar 2 vite e 9 muaj burgim.

Amarildo Nikolli (majtas); Leonard Luzi (në mes) dhe Inez Hajrulla

Sipas Prokurorisë së Posaçme, Leonard Luzi u financua nga një person ende i paidentifikuar për të kryer vrasjet e Ervis Matodashajt dhe Inez Hajrullës ku shkak dyshohet të jenë përplasjet për lojërat e fatit.

Leonard Luzi dyshohet se krijoi një grup të strukturuar kriminal, pjesë e të cilit ishin i pandehuri Amarildo Nikolli, që do të ishte ekzekutori si dhe Muharem Koroveshi e Erio Zejno, në rolin e ndihmësit, ky i fundit ende në kërkim.

Në dosjen e SPAK thuhet se Koroveshi dhe Zejno sollën armët në banesën e Amarildo Nikollit i cili do të kryente ekzekutimin dhe e ndihmuan në terren me gjetjen e personave të cilët ishin objektiv i atentatit. Po ashtu ata do të ndihmonin Nikollin për t’u larguar nga vendi i ngjarjes pas kryerjes së atentatit. 

Kjo ngjarje u parandalua nga Policia e Vlorës e cila vendosi në pranga Amarildo Nikollin në zonën e “Ujit të Ftohtë”.

Luzi u ekstradua nga Spanja në Shqipëri në nëntor 2024, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpoli.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë