Ne rrjet

Plani për të rrëmbyer nga SHBA disidenten që ftonte gratë të hiqnin shaminë në Iran

Donin ta merrnin me vete përmes detit, nga Bruklini në Venezuelë dhe nga atje ta riatdhesonin në Iran, sipas dokumenteve gjyqësore të bëra publike nga një gjykatë federale në Nju Jork.

Më herët, ata ishin përpjekur të bindnin anëtarët e familjes së viktimës që ta joshnin në një vend në Lindjen e Mesme, ku ajo mund të rrëmbehej nga agjentët iranianë, siç ndodhi kohët e fundit me dy disidentë të tjerë – njëri prej të cilëve, Ruhollah Zam, u ekzekutua dhjetorin e kaluar.

Gazetarja iraniano-amerikane, Masih Alinexhad, ka dalë publikisht (emri i saj nuk përmendet në dosje), duke deklaruar se ajo është viktimë e një përpjekjeje rrëmbimi që do të ishte pjesë e një plani më të gjerë të rrëmbimit të disidentëve dhe kundërshtarëve nga shërbimet e inteligjencës së Republikës Islamike. Nga Teherani, autoritetet përshkruajnë akuzat që çuan në padinë e katër personave si “qesharake”.

Shefi i FBI-së në Nju Jork, William Sweeney, pranon se duket si “një skenar filmi”, por këmbëngul se grupi spiun kishte “mbështetjen e qeverisë iraniane”. I njëjti rrjet, do të kishte synuar tre “objektiva”, në Kanada, një në Britaninë e Madhe dhe tjetri në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Alinexhad është një nga disidentet më të njohura dhe më të dukshme jashtë vendit. Me faqen në Facebook, “My Stealthy Freedom” (Liria ime Vjedhurazi), e krijuar në vitin 2014, ajo inkurajoi gratë iraniane të hiqnin shaminë – e detyrueshme – në vende publike, por fshehurazi (për të mos u arrestuar).

Pastaj ajo konceptoi “të mërkurat e bardha”, duke i ftuar njerëzit të mbanin një hixhab të asaj ngjyre çdo të mërkurë. Dhe ajo ishte e para që filloi përsëri protestën e një vajze me emrin Vida, e cila hoqi vellon e saj në rrugën e “Revolucionit” në Teheran, këtë herë publikisht dhe e tundi atë si një flamur në kundërshtim (më vonë e imituar nga të tjerët).

Në autobiografinë e saj, “The wind in my hair” (Era në flokët e mi), Alinejad rrëfeu një jetë prej rebeleje: vajza e një rrobaqepëseje dhe një fermeri pulash në një fshat të vogël, e burgosur që 18 vjeçe për vjedhje librash, e braktisur nga i dashuri i saj me një fëmijë 3-vjeçar kur ajo ishte vetëm 20 vjeçe.

Pastaj u bë një gazetare parlamenti, e cila refuzoi ngacmimin seksual të shefit dhe i bëri pyetje të vështira madje presidentit reformist Khatami (rreth asaj pse nuk komplimentoi Shirin Ebadin për çmimin Nobel), deri në vendimin për t’u strehuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ajo punon për Zërin e Amerikës.

Alinexhad u paralajmërua nga FBI tetë muaj më parë për përpjekjen për ta rrëmbyer atë, që daton nga qershori i vitit 2020. Të katër të akuzuarit, të udhëhequr nga oficeri i inteligjencës, Alireza Shavaroghi Farahani, pretendohet se kanë vepruar nga Teherani. Ata punësuan një agjenci hetimore për ta monitoruar atë, duke thënë në mënyrë të gabuar se një nga miqtë e saj kërkohej në Dubai për përpunimin e pagesave.

Ata kanë bërë kërkime në internet mbi skafet ushtarake për udhëtimin dhe rrugën më të mirë nga banesa e saj. Një 46-vjeçare iraniano-amerikane, Niloufar “Nellie” Bahadorifar, u arrestua në Kaliforni për kalimin e parave për planin. Jo të gjithë disidentët iranianë e duan stilin e Alinexhadit dhe jo pak frikësohen se betejat e saj do të përdoren nga politikanë të luftës sesa të kontribuojnë në dialog, por nuk ka dyshim se ajo admirohet nga shumë të tjerë dhe mbahet mend nga autoritetet e vendit të saj të lindjes.

Në vitin 2019, një nga krerët e gjyqësorit iranian, paralajmëroi se kushdo që i dërgon asaj video kritike, do të përballet me 10 vjet burg. Një i afërm e saj, u dënua me 8 vjet burg.

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë