Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka deklaruar se plani kombëtar për deinstitucionalizmin synon që çdo fëmijë të ketë një familje.
"Kur kjo nuk është e mundur, patjetër që janë institucionet tona që do të presin, trajtojnë dhe të përmbushin çdo nevojë që fëmija ka. Qendrat rezidenciale do të vijojnë të qëndrojnë dhe do të transformohen, duke u fuqizuar dhe duke shtuar shërbime të reja, duke i sjellë më afër fëmijëve por edhe familjeve," tha Manstirliu, gjatë një takimi me përfaqësues të institucioneve të kujdesit social dhe organizmave ndërkombëtarë si UNICEF, Delegacioni i Bashkimit Europian, Save the Children, përfaqësues të pushtetit vendor e shoqërisë civile.
Manastirliu tha se qëllimi i këtij plani është që të sigurojë që kurdo kur është e mundur, fëmijët të rriten në një mjedis familjar, duke fuqizuar familjen.
“Qëllimi ynë primar është parandalimi i ndarjes së fëmijës nga familja, ndaj fokusi është fuqizimi i bërthamës familjare, përmes mbështetjes në një aspekt shumë planësh, nga mbështetja ekonomike tek ajo sociale.
Duke folur për përmirësimin e cilësisë së shërbimeve ndaj fëmijëve, Manastirliu bëri me dije se është miratuar Agjenda Kombëtare për të Drejtat e Fëmiëjve që synon t’u japë zgjidhje sfidave më domethënese përsa i përket të drejtave të fëmijëve.
"Institucionet e përkujdesit shoqëror, në kuader të Planit të Deinstitucionalizimit, po punojnë për të krijuar modele për shërbime të reja alternative për fëmijët. Aty ku është e mundur, sipas planeve individuale, do të fuqizohen familjet biologjike në një proces të plotë mbështetjeje, me synimin për të kthyer fëmijët pranë tyre, rast pas rasti. Modelet e reja të shërbimeve alternative do të hartohen duke pasur në fokus interesin më të lartë të fëmijës " tha Manastirliu.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.