Politike

Plani i Veprimit për Ballkanin, Gonzato: Kontrabanda e emigrantëve po rritet

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato, deklaroi të martën në Konferencën Ndërministeriale të vendeve të Ballkanit Perëndimor, se strategjia gjithëpërfshirëse e migracionit për shtatë vitet e ardhshme është në përputhje me prioritetet kryesore të Planit të Veprimit të BE-së.

Ai nënvizoi disa nga rezultatet kryesore duke iu referuar mundësive kyçe për veprim të mëtejshëm në 5 fushat e mbuluara nga Plani i Veprimit.

Për sa i përket menaxhimit të kufirit, Gonzato tha se, “janë nënshkruar marrëveshjet e reja të Statusit me Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi. Negociatat me Serbinë janë finalizuar dhe nënshkrimi do të bëhet në javët në vijim. Negociatat teknike me Bosnjën dhe Hercegovinën pritet të fillojnë shumë shpejt”.

“Këto Marrëveshje të reja do të lejojnë për herë të parë vendosjen e ekipeve të FRONTEX në kufijtë midis partnerëve në rajon dhe jo vetëm atyre midis rajonit dhe BE-së. Kjo i shton një dimension tjetër të rëndësishëm një bashkëpunimi tashmë gjithëpërfshirës me FRONTEX, i cili ka ndihmuar në frenimin e migracionit të parregullt dhe krimit ndërkufitar”, theksoi ambasadori.

Për azilin dhe pritjen, Gonzato theksoi se të gjithë partnerët në rajon kanë udhërrëfyes bashkëpunimi me Agjencinë e BE-së për Azilin.

“Është e rëndësishme të ndërtohen më tej kapacitetet operacionale për të siguruar funksionimin e mirë të sistemeve të azilit dhe për të siguruar kushte të përshtatshme pritjeje”, nënvizoi ai.

Gonzato shtoi se, “përafrimi i politikave të vizave mbetet një fushë e Planit të Veprimit në të cilën ne do të dëshironim të shohim përparim më të mirë, me harmonizim gradual konkret, veçanërisht në lidhje me ato vende të treta që paraqesin rreziqe potenciale ose reale për sa i përket migrimit të parregullt ose sigurisë”.

Për luftimin e kontrabandës së migrantëve, Gonzato tha se, “ne shohim se kontrabanda e emigrantëve po rritet dhe – më shqetësuesja – ajo që po rritet është niveli i dëmtimit dhe dhuna ekstreme e lidhur me të. Sipas vlerësimeve, 90% e njerëzve që mbërrijnë në BE në mënyrë të parregullt janë kontrabanduar, të paktën gjatë një pjese të udhëtimit të tyre”.

“Ne mund ta kundërshtojmë një fenomen të tillë në mënyrë efektive vetëm nëse punojmë së bashku duke përdorur të gjitha mjetet që kemi në dispozicion dhe duke luftuar të gjitha aktivitetet kriminale të rrjeteve të kontrabandës së emigrantëve. Për të cituar komisionerin Johansson: “Duhet një rrjet për të luftuar një rrjet”. Në këtë drejtim, ne jemi mirënjohës për pjesëmarrjen dhe mbështetjen e partnerëve tanë të Ballkanit Perëndimor në nisjen e një Aleance Globale për Kundër Kontrabandës së Migrantëve, nëntorin e kaluar, e cila u organizua nga presidentja Von der Leyen. Dhe ne do të vazhdojmë të angazhohemi me të gjithë partnerët në rajon në të gjitha aspektet e kësaj aleance”, përfundoi fjalën e tij, ambasadori i BE në Tiranë, Silvio Gonzato.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë