Nga Gazeta ‘SI’ – Bashkimi Europian vendosi t’i disbursojë Shqipërisë parafinancimin e parashikuar, 64.5 mln euro në kuadër të Facilitetit për Reforma dhe Rritjes Ekonomike të BE-së.
Me këtë parafinancim, Shqipëria ka marrë 30 milionë euro kredi koncesionare për buxhetin e shtetit, si mbështetje për zbatimin e reformave në kuadër të Agjendës së Reformës së vendit.
Parafinancimi i mbetur prej 34.5 milionë euro, në grante dhe hua koncesionare, do t’i injektohet drejtpërdrejt WBIF-it (Western Balkans Investment Framework) për investime në infrastrukturë në Shqipëri.
“Bashkimi Europian qëndron në krah të Shqipërisë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE. Plani i Rritjes e ndihmon Shqipërinë për të arritur këtë qëllim dhe për ta afruar ekonominë shqiptare me atë të Bashkimit Europian përpara se Shqipëria të bëhet anëtare. Ne po e mbështesim Shqipërinë të konsolidojë shtetin e saj të së drejtës, të zhvillojë infrastrukturën e saj, ekonominë e saj të gjelbër, kapitalin e saj njerëzor dhe biznesin e saj privat. Europa është këtu për të mbështetur rritjen e qëndrueshme dhe kohezionin social të Shqipërisë”, tha Silvio Gonzato.
Deri në vitin 2027, Shqipëria ka mundësinë të marrë deri në 922.1 milionë euro në total nga Fondi i Reformës dhe Rritjes për Ballkanin Perëndimor, në këmbim të reformave në sundimin e ligjit dhe të drejtat themelore, energjinë e rinovueshme, ekonominë digjitale, kapitalin njerëzor dhe zhvillimin e sektorit privat.
Pagesat e ardhshme në kuadër të Facilitetit do të bëhen me përfundimin e hapave të reformave të rënë dakord ndërmjet Komisionit dhe Qeverisë Shqiptare në Agjendën e Reformës. Ndërsa Shqipëria përparon në zbatimin e Agjendës së Reformës, BE do të zhbllokojë pagesat.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.