Gazeta Si – Pas aksionit për lirimin e hapësirave publike, kryeministri Edi Rama ka njoftuar se për vendosjen e tavolinave jashtë lokaleve e bizneseve, së shpejti do t’u jepet të gjithëve plani i ri, me formulën bazë 75% të hapësirës këmbësorët 25% njësia e shërbimit.
Në një postim në rrjetet sociale, Rama theksoi se nuk do të lejohet asnjë lloj strukture e ndërtuar në trotuare, përveçse në rastet e hapësirave të bollshme e vetëm atje ku ka një projekt të mirëfilltë urbanistik.
“Po punohet me projektet e Rilindjes Urbane 2.0 për të cilën janë angazhuar shumë arkitektë të huaj e vendas. Ndërsa për vendosjen e tavolinave jashtë, së shpejti do t’u jepet të gjithëve plani i ri, me formulën bazë 75% të hapësirës këmbësorët 25% njësia e shërbimit. Dhe nuk do të lejohet asnjë lloj strukture e ndërtuar në trotuare, përveçse në rastet e hapësirave të bollshme e vetëm atje ku ka një projekt të mirëfilltë urbanistik”, shkruan Rama.
Kreu i qeverisë thekson se puna nuk do të ndalet më as në kryeqytet, as në qytetet e tjera për lirimin e hapësirave publike.
Vetëm për Tiranën, kryeministri bën ‘bilancin’ e aksionit, duke thënë se deri nesër arrin në rreth 20 mijë metra katrorë sipërfaqja e hapësirave publike të çliruara.
“Sipas planit të punës vetëm në Tiranë arrin deri nesër në rreth 20 mijë metra katrorë sipërfaqja e hapësirave publike të çliruara, ndërkohë që puna nuk do të ndalet më as në kryeqytet, as në qytetet e tjera ku ka marrë kot ky fenomen dhe as në bregdet e në zonat e mbrojtura jo e jo”, thekson Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




