Drejtësia

Plani i KLGJ për sigurinë në gjykata, policë të trajnuar dhe godina të reja

Gazeta Si – Këshilli i Lartë Gjyqësor ka përgatitur një plan masash në lidhje me sigurinë në gjykata pas vrasjes së gjyqtarit të Apelit në sallën e gjyqit, Astrit Kalaja.

Në një deklaratë të ndarë për mediat, KLGJ thotë se do të analizojnë masat e marra dhe kërkesat e drejtuara KLGJ-së nga secila gjykatë mbi sigurinë përgjatë viteve 2023-2025.

Kështu, në secilën gjykatë kërkohet prania e policëve apo punonjësve të sigurisë të trajnuar, godina të reja, mes tyre dhe një për Apelin.

KLGJ thotë se do të analizojnë kushtet ekzistuese të sigurisë në gjykata dhe më pas do të adresojnë ndryshimet ligjore dhe nënligjore për marrjen e masave për garantimin e sigurisë në gjykata për gjyqtarët, personelin gjyqësor dhe çdo përdorues të gjykatës.

Plani i hartuar nga KLGJ parashikon edhe miratimin e protokolleve dhe procedurave standarde të sigurisë për secilën gjykatë.

Arrestimi i punonjësit të sigurisë në gjykatën e Apelit, pas vrasjes së gjyqtarit Kalaja, pasi nuk lëvizi për të kontrolluar autorin Elvis Shkambi për armën, ka bërë që KLGJ të shtojë në shtojë në plan edhe një pikë, ku thekson se për çdo gjykatë do të garantojë punonjës sigurie të trajnuar, ose policë të Policisë së Shtetit.

Më tej, KLGJ thotë se do të kërkojnë ndihmë për ndërtimin e 8 godinave të reja të gjykatave të shkallës së parë në rrethet gjyqësore, si dhe ndërtimit të godinave të reja për Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm dhe Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

Në përfundim të ndërtimit, KLGJ në planin e masave kërkon që godinat ekzistuese dhe ato që do të ndërtohen të kalojnë në pronësi të këtij institucioni.

Sipas njoftimit, thuhet se do të ketë një bashkëpunim me AKEP-in dhe AMA-n për ndalimin e gjuhës së papërshtatshme ndaj gjyqtarëve në rrjete sociale, platformave online dhe media.

Sakaq, do të nisë procedura për emërtimin e sallës së amfiteatrit në godinën “Poli i Drejtësisë” me emrin “Astrit Kalaja”, si dhe propozimin në institucionet përkatëse për dhënien e titullit “Dëshmor i Atdheut”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë