Gazeta Si – Serbia e Kosova kanë rënë dakord për të biseduar mbi plan të ri për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet.
Kjo u konfirmua nga përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme dhe siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, i cili tha se të dyja palët tashmë dorëzuar komentet e tyre për këtë plan.
“Me përfaqësuesin tim të posaçëm, Mirosllav Lajçak, kemi punuar shumë për këtë. Pra, para verës ua kemi prezantuar planin të dyja palëve, Kosovës dhe Serbisë, në mënyrë që ato të kapërcejnë krizat e përhershme në të cilat kemi punuar dhe për të arritur një normalizim gjithëpërfshirës të raporteve të tyre. Kemi marrë përgjigje nga të dyja palët. Jemi duke i studiuar dhe mendoj se është një shkas i mirë që duhet të shfrytëzohet për të arritur normalizimin e raporteve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit”, tha Borrell në Gjermani, ku po mbahet takimi i ministrave të Punëve të Jashtme të shteteve të G7-s.
Bëhet fjalë për planin franko-gjerman dhe për këtë Borell ka falendëruar Francën dhe Gjermaninë për këtë kontribut në realizimin e këtij plani.
Shefi i diplomacisë së BE-së po ashtu tha se në ditët në vijim do të analizojnë komentet që kanë marrë nga Prishtina dhe Beogradi dhe se shpreson se ky “do të jetë një përparim dhe hap para në këtë proces”.
Radio Evropa e Lirë shkruan se ekzistimi i planit franko-gjerman u diskutua në Berlin më 3 nëntor nga kancelari gjerman, Olaf Scholz, dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Von der Leyen konfirmoi se ky plan tani është i “integruar në procesin e dialogut”.
Megjithatë, për planin franko-gjerman nuk ka informacione të shumta. Ekzistenca e tij është konfirmuar edhe nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe nga presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç.
Plani parashikon një integrim të shpejtë të Serbisë në BE, ndërsa si këmbim duhet të mos bëhet pengesë për anëtarësimin e Kosovës në OKB, si dhe në disa organizma ndërkombëtare.
Sakaq i dërguari i posaçëm i BE-së, Miroslav Lajçak ka udhëtuar drejt Beogradit për të diskutuar me presidentin serb Aleksader Vuçiç pikërisht për këtë plan dhe gjetur pikat e përbashkëta.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




