Bota

Plani amerikan për paqen, Zelensky: Ose do humbasim dinjitetin ose aleatin tonë kryesor

Nga Gazeta ‘Si’- Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i është drejtuar popullit ukrainas me një fjalim të fortë, duke pranuar se Ukraina po kalon një nga momentet më kritike të historisë së saj, ndërsa SHBA-të po shtojnë presionin që Kievi të pranojë planin 28-pikësh të paqes të propozuar nga Donald Trump.

“Kjo është një nga kohërat më të vështira për ne. Ukraina mund të përballet me një zgjedhje shumë të vështirë: ose humbjen e dinjitetit, ose rrezikun e humbjes të një aleati kyç”, deklaroi Zelensky, duke theksuar se nuk do të tradhtojë interesin kombëtar dhe se do të punojë shpejt e në mënyrë efektive me SHBA-në.

Sipas tij, vendi duhet të zgjedhë “ose 28 pikat e vështira, ose një dimër jashtëzakonisht të vështirë – ndoshta më të vështirin deri tani – me rreziqe të shtuara”.

Zelensky shtoi se aleatët, kryesisht SHBA-ja, presin një përgjigje të qartë.

“Unë kurrë nuk do ta tradhtoj betimin tim. Interesi kombëtar ukrainas është i paprekshëm”, theksoi ai.

Presidenti ukrainas bëri të ditur se ekipet qeveritare do të punojnë gjatë fundjavës dhe gjithë javës që vjen, dhe aq gjatë sa të nevojitet, për të rishikuar draftin. Qëllimi, sipas tij, është që “midis të gjitha pikave, të paktën dy të mos humbasin: dinjiteti dhe liria e ukrainasve”, nga të cilat varen sovraniteti, pavarësia dhe vetë e ardhmja e vendit.

Zelensky pranoi se “presioni mbi Ukrainën është ndër më të rëndët deri tani”, por theksoi se do të ndjekë një qasje konstruktive ndaj Uashingtonit.

“Do të paraqes argumente, do të bind dhe do të propozoj alternativa. Nuk do t’i japim armikut asnjë mundësi të thotë se Ukraina nuk dëshiron paqe”, u shpreh ai.

Ai iu referua edhe aleatëve evropianë, të cilët e mbështesin dhe, sipas tij, e kuptojnë se “Rusia është shumë afër… dhe Ukraina është mburoja e vetme që mbron jetën e rehatshme evropiane nga planet e Putinit”.

Zelensky shtoi se, pavarësisht vlerësimeve për heroizmin e ukrainasve, vendi po përballet me një presion të jashtëzakonshëm nga sulmet e përditshme. “Ne jemi bërë si prej çeliku, por edhe metali më i fortë ka kufijtë e tij”, tha ai.

Deklaratat e tij pasuan informacionet se Uashingtoni po synon që marrëveshja e paqes të nënshkruhet deri të enjten e ardhshme, më 27 nëntor, Ditën e Falënderimeve. Drafti prej 28 pikash thuhet se përfshin lëshime veçanërisht të vështira nga pala ukrainase.

Sipas Axios, Zelensky pritet të flasë më vonë të premten me zëvendëspresidentin amerikan J.D. Vance për të diskutuar kuadrin e paqes të propozuar nga administrata amerikane. Koha dhe detajet e bisedës ende nuk janë përcaktuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë