Bota

Planet ruse për të ‘goditur Europën me raketa bërthamore’ në rast të një lufte me NATO-n

Financial Times zbulon planet e Rusisë. Në një hartë, të paktën 32 objektiva të mundshëm, të krijuar midis 2008 dhe 2014, për t'u shënjestruar me armë atomike në fazat e hershme të një lufte të mundshme të drejtpërdrejtë me NATO-n

Gazeta Si - Marina ruse ka trajnuar disa nga njësitë e saj të pajisura me raketa me kokë bërthamore për të goditur objektivat brenda kufijve evropianë.

Planet e sulmit janë parashikuar në rast të konfliktit të drejtpërdrejtë me NATO-n. Lajmin e ka bërë të ditur "Financial Times", e cila ka marrë dokumentet nga kanalet që përgjithësisht i përkufizon si “burime perëndimore”.

Gazeta britanike publikon gjithashtu një hartë që tregon disa nga objektivat e mundshëm rusë për të synuar me armë atomike, të cilat ishin të qëndrueshme midis viteve 2008 dhe 2014.

“Zbulimet e reja tregojnë se Moska planifikon të sulmojë shumë më thellë sesa në vendet e NATO-s në kufi me territorin e saj në rast të një konfrontimi të hapur me botën perëndimore”, shkruan FT, e cila nënvizon gjithashtu se si në dokumente, zyrtarët rusë nënvizojnë avantazhet e përdorimit të armëve atomike në një fazë fillestare të konfliktit.

Në fund të fundit, kjo nuk është as e re, as e çuditshme. Të gjitha ushtritë e botës kanë hartuar gjithmonë, edhe në kohë paqeje, plane teorike sulmi kundër armiqve të mundshëm dhe që nga viti 2007 marrëdhëniet midis Moskës dhe NATO-s janë bërë gjithnjë e më të tensionuara.

Me shumë mundësi, plane të ngjashme kundër Rusisë kanë edhe ushtritë e vendeve të NATO-s, me amerikanët në krye.

Dokumentet shpjegojnë se "manovrimi i madh" i marinës e lejon atë "të kryejë sulme të papritura parandaluese nga drejtime të shumta".

Sipas FT, prezantimi tregon gjithashtu se si Rusia ruan aftësinë për të armatosur raketat e vendosura në anije me koka atomike - një veçori që, sipas ekspertëve, sjell "një rrezik shtesë" përshkallëzimi dhe aksidentesh.

Hartat tregojnë 32 objektiva për të goditur në Evropë. Këto përfshijnë bazat në bregun perëndimor francez, bazat në Britaninë e Madhe, portet ushtarake në Baltik, zonat e Bergenit në Norvegji dhe qendrat e NATO-s në Gjermani.

Koncepti i luftës pas këtyre dokumenteve, sipas Jeffrey Lewis, një ekspert i cituar nga FT, "është ai i një lufte totale".

Sipas llogaritjeve të NATO-s, vendet e Aleancës Atlantike të Veriut, kanë “më pak se 5 për qind të aftësive të mbrojtjes ajrore të nevojshme për të mbrojtur krahun lindor të Aleancës nga një sulm rus”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë