Gazeta Si- Një plan për të rrëmbyer një 49-vjeçar në Sarandë, është parandaluar nga policia, e cila ndërhyri në kohë.
Dyshohet se shkak ka qenë një borxh i pakthyer, që mund t’kishte kushtuar shumë 49-vjeçarit, për të cilin autorët kishin përgatitur rrëmbimin të enjten.
Për këtë arsye, Juljan Brinja 28 vjeç, Sandri Brinja 27 vjeç, Gjergji Prenga 29 vjeç dhe Angelos T., 20 vjeç kishin përgatitur planin për ta rrëmbyer nën kërcënimin e armës dhe për ta bindur me forcë që t’i kthente paratë.

Të rinjtë udhëtonin me një makinë tip “BMW” kur u ndaluan nga policia pas informacionit që kishin marrë në rrugë operative.
Në vendin e pasagjerit, ku ishte ulur J.B., u gjet një pistoletë dhe lidhëse plastike duarsh. Katër të arrestuarit kishin planifikuar të merrnin peng një 49-vjeçar pas një sherri që kishin me të për motive të dobëta.
Ata akuzohen për “heqja e paligjshme e lirisë”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim dhe “prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit luftarak”.
Në reagimin e tij në lidhje me këtë ngjarje, ministri i Brendshëm, Taulant Balla, thekson se Policia e Shtetit duhet të bëjë gjithçka për parandalimin e ngjarjeve kriminale dhe goditjen e armëmbajtjes pa leje, si dhe duhet të bashkëpunojë me qytetarët për parandalimin e ngjarjeve kriminale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



