Ka ndodhur

Plagosja me armë zjarri e 33-vjeçarit në Vlorë, në kërkim 3 autorët e dyshuar

Gazeta Si – Janë identifikuar dhe u shpallën në kërkim tre personat që plagosën me armë zjarri 33-vjeçarin Tonin Ramaj (Hosaj) mesditën e së hënës brenda një lokali në Vlorë.

Policia tha se Ermal Haxhiraj alias Bashkim Brahimaj, Neritan Xhaferaj dhe Ermal Osmenaj, dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin tentuan të vrisnin duke qëlluar me armë zjarri të riun për motive të dobta.

33-vjeçari nga Vlora raportohet se ka mbetur i dëmtuar në gjymtyrët e poshtme të tij dhe ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.

Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 4 gëzhoja arme zjarri dhe 1 fishek luftarak me kapsollë të padëmtuar, të cilat u dërguan në Institutin e Policisë Shkencore, për kryerjen e ekzaminimeve të mëtejshme.

Po ashtu, procedohet penalisht administratori i lokalit, shtetasi Katrin Limaj, ku ndodhi ngjarja, pasi u konstatua se në këtë ambient organizoheshin lojëra fati, në kundërshtim me ligjin. Policia shtoi se ka sekuestruar sende që i shërbenin organizimit të këtyre lojërave.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë