Nga Gazeta ‘SI’- Policia ka arrestuar një nga autorët e dyshuar të plagosjes në Borxh, ndërsa një tjetër i përfshirë është shpallur në kërkim.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, rreth orës 02:20, pas një sherri për motive të dobëta, shtetasi H. Ç., 42 vjeç, banues në Borsh, është goditur me grushte nga shtetasi E. V, 55 vjeç, banues në Tiranë. Më pas, H. Ç. është larguar nga lokali dhe është rikthyer me armë zjarri, duke qëlluar në drejtim të një automjeti tip “Volkswagen”, i drejtuar nga shtetasi E. Sh, 33 vjeç, të cilin e ka plagosur në shpatull dhe në këmbë. I plagosuri ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Po ashtu, H. Ç. ka goditur me qytën e armës shtetasin A. D., 43 vjeç.
Pas ndërhyrjes së policisë dhe hetimeve të shpejta, H. Ç. u arrestua në flagrancë, ndërsa E. V. është shpallur në kërkim. Ndaj tyre rëndojnë akuzat për “Vrasje me dashje” e mbetur në tentativë, “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake” dhe “Dëmtime të tjera me dashje”.
Në vendngjarje u sekuestruan 4 gëzhoja dhe një krehër me fishekë. Vijon puna për gjetjen e armës së përdorur dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në konflikt.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




