Policia e Kosovës ka njoftuar se dy persona serbë janë plagosur me armë zjarri, në fshatin Drajkovc të Shtërpcës, komunë kjo e banuar me shumicë serbe.
Sipas njoftimit të policisë, rreth orës 15:20 më 6 janar, ndaj dy personave, njëri rreth 11-vjeçar dhe tjetri rreth 21-vjeçar, është shtënë me armë zjarri nga të dyshuar, të cilët ishin me një automjet të udhëtarëve në lëvizje, që po qarkullonte nga Shtërpca në drejtim të Ferizajt. Sipas policisë, makina më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.
Lidhur me rastin Policia e Kosovës ka identifikuar e më pas ka arrestuar të dyshuarin me inicialet A.K. i moshës 33-vjeçar. I dyshuari është shoqëruar në Policinë Rajonale të Ferizajt.
Siç thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës, hetuesit rajonal kanë gjetur dhe më pas kanë konfiskuar armën e zjarrit (pistoletë), me të cilën dyshohet se është kryer vepra penale.
Si provë materiale është konfiskuar edhe automjeti i udhëtarëve, me të cilën dyshohet se ka lëvizur i dyshuari.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se “plagosja e të rinjve 11 dhe 21-vjeçar në Shtërpcë është akt i patolerueshëm” dhe se autori duhet të vihet para drejtësisë. “Institucionet e Kosovës janë të përkushtuara maksimalisht që qytetarëve pa dallim etnie t’u ofrohet ambient i sigurt dhe i qetë. Të plagosurve ju dëshiroj shërim të shpejtë, ndërkaq, ftoj organet e sigurisë që rastin ta trajtojnë urgjentisht e sipas ligjit”, thuhet në reagimin e Osmanit.
Ngjarjen gjithashtu e dënoi edhe kryeministri Albin Kurti i cili tha se do të vazhdojnë hetimet deri në zbardhjen e të gjitha rrethanave të këtij akti të papranueshëm dhe të dënueshëm. “Policia e Kosovës veçse ka arrestuar të dyshuarin, i cili pa asnjë mëdyshje duhet dhe do të përballet me organet e drejtësisë. Njësitet relevante do të vazhdojnë hetimet deri në zbardhjen e të gjitha rrethanave të këtij akti të papranueshëm dhe të dënueshëm”, shkroi Kurti, duke siguruar të gjithë qytetarët se “Policia e Kosovës është e angazhuar maksimalisht në kryerjen e detyrave të saj me qëllim të mbrojtjes së jetës dhe pronës së të gjithëve pa dallim”.
I menjëhershëm ishte edhe reagimi i kryeministres së Serbisë, Ana Bernabiq, e cila e ftoi komunitetin ndërkombëtar të veprojë menjëherë. Sipas saj, “serbët nuk janë të sigurt në Kosovë”. “Dënoj fuqishëm këtë krim të ligë dhe kërkoj nga komuniteti ndërkombëtar që të veprojë menjëherë për të sjellë para drejtësisë keqbërësin. Ky rast është në radhën e incidenteve të tmerrshme dhe demonstron peshën e kushteve, në të cilat jetojnë çdo ditë serbët në Kosovë dhe Metohi”, shkroi Bërnabiq në Twitter.
Protestë e qytetarëve serbë
Plagosja nxorri në protestë qindra qytetarë të tjerë serbë të cilët në shenjë indinjimi bllokuan aksin rrugor Prevallë-Shtërpcë.

Qytetarët serbë vendosën goma në të dyja anët e aksit rrugor dhe i kanë vendosur atyre flakën duke bllokuar në këtë mënyrë qarkullimin e mjeteve.
Për këtë incident reagoi edhe Lista Serbe e cila akuzoi autoritetet e Kosovës se po qëllon ndaj civilëve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




