Ka ndodhur

Sarandë, tentohet të digjet lokali i biznesmenit që u plagos me armë zjarri

Një ditë pasi e plagosën me armë zjarri, lokalit të biznesmenit Spiro Iljadhi është tentuar që t’i vihet zjarri me benzinë. Në pranga ka rënë 32-vjeçari Luan Obzova nga Tepelena. Ai është kapur nga patrulla e policisë pranë lokalit, teksa me vete mbante shishen me lëndën djegëse.

Dyshohet se 32-vjeçari ka tentuar t’i vërë flakën lokalit për të fshehur provat pas sulmit me armë zjarri. Arrestimi i tij vjen pak orë pas kapjes së autorit kryesor të ngjarjes, Redian Hadëri, 33-vjeç.

I riu  nga Tepelana, akuzohet se është një nga autorët që mori pjesë në plagosjen e rëndë të biznesmenit në orët e para të mëngjesit të së dielës.

Iljadhi mbeti i plagosur para lokalit të tij në Sarandë, ku u qëllua së paku me 20 plumba. Gjendja e të riut ishte e rëndë, ndaj u dërgua me urgjencë në Spitalin e Traumës në Tiranë.

Po ashtu i plagosur nga breshëria e plumbave mbeti edhe një kalimtar i rastit. Policia identifikoi autorët e ngjarjes dhe ka shpallur në kërkim dy vëllezërit, Andrea Çaushi dhe Visi Çaushi të cilët akuzohen për plagosjen e biznesmenit.

Konflikti mes tyre ka nisur në brendësi të ambienteve të lokalit të të plagosurit. Më pas, autorët e dyshuar e kanë pritur jashtë dhe e kanë qëlluar, duke e plagosur rëndë.

Policia sqaroi se gjithçka e ka zanafillën nga një konflikt i çastit për motive të dobëta. Ngjarja u shënua rreth orës 03:50, në një kohë kur në fuqi ishin rregullat e ndalim qarkullimit për shkak të masave anti-Covid.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë