Ngjarje

Plagosja e 60-vjeçares në Lushnjë, babai i autorit të dyshuar mohon akuzat: Ngjarje e sajuar

Gazeta Si – Shaip Hasalla, babai i Armando Hasallës që është shpallur në kërkim nga policia si autor i dyshuar i plagosjes së 60-vjeçares Bajame Senej një ditë më parë në Lushnjë, ka mohuar akuzat për përfshirjen e djalit të tij.

Për mediat, ai tha se djali i tij është në Greqi, duke theksuar se kjo ngjarje është e sajuar dhe se ka si qëllim vetëm hakmarrjen.

“Në lidhje me ngjarjen unë nuk di gjë fare. Çunat nuk janë këtu. Armando është në Greqi, ka 10 ditë, kurse Laerti në Itali. Policia më pyeti ku ke qenë gjithë ditës. Ne ishim në gjyq për tokën dhe djalin që na e kanë vrarë. Pastaj erdha në shtëpi dhe më tha policia ke vrarë njerëz. Fola më mori çuni, Armando, më tha ça ka ndodhur andej. Thonë që është bërë një plagosje. Nuk e di, do të hakmerret prapë. Nuk kemi pasur asnjë lloj konflikti. Unë kam parë hallin tim. Ja kam lënë drejtësisë. Kjo është një ngjarje e sajuar nga ana e tyre. Duan të hakmerren, se ne jemi trima… ne nuk pyesim e iu vrasim prapë…”.

Një ditë pas ngjarjes, ku mbeti e plagosur në një pritë shtetasja Bajame Seneja, policia e Lushnjës ende nuk ka rënë në gjurmët e autorit.

Që pas ngjarjes dhe deri në mëngjes janë kryer kontrolle në të gjithë zonën por pa rezultat. Për këtë ngjarje policia në një komunikatë deklaron se ka të dyshuar shtetasin Armando Hasalla.

Ngjarja lidhet me një përplasje që dy familjet me mbiemër Hasalla kanë për pronësinë e një sipërfaqe toke.

Në 29 korrik të vitit 2021, pas një konflikti mes dy familjeve mbeti i vrarë Romeo Hasalla 30 vjeç ku si autor ishte Kastriot Hasalla, i cili për këtë ngjarje u dënua me 35 vjet burg.

Ditën e djeshme në Gjykatën e Lushnjës u zhvillua seanca tjetër gjyqësore për bashkëpunëtoret e Kastriotit në ngjarje, të cilët ishin vëllai Afrimi dhe djali Marjusi.

Në fund të gjykimit, gjykata vendosi për Afrim Hasallan 2 vite burg, ndërsa Marjus Hasalla 1 vit e gjashtë muaj burg.

Pas përfundimit të seancës gjyqësore rrugës për në shtëpi ndaj makinës ku udhëtonte Marjusi se bashku me hallën e tij është qëlluar me armë. Për këtë ngjarje, Afrim Hasalla, vëllai i të plagosurës, akuzon familjen e Shaip Hasallës djalin e tij Armando Hasalla.

Afrimi tha se Kastrioti mbrojti në konfliktin që ndodhi në vitin 2021 vëllain dhe djalin e tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë