Ngjarje

Plagosi tre të rinj, Greqia lëshon urdhër-arresti europian për 37-vjeçarin e rrezikshëm shqiptar

Gazeta Si – Autoritetet greke kanë lëshuar një urdhër arresti europian për shqiptarin që plagosi tre të rinj grekë në Gazi të Athinës.

Sipas autoriteteve greke 37-vjeçari Nardi Ismet Idrizi qëlloi me një pistoletë dhe plagosi rëndë një grup të rinjsh pas një sherri banal jashtë një lokali.

Më herët policia arrestoi edhe mikun e tij Emiliano Jakupi 33 vjeç, i cili ishte i pranishëm në automjet dhe ishte pikërisht shkaku që nisi sherri mes dy palëve.

37 vjeçari me precedent të rëndë kriminal vazhdon të fshihet dhe tenton të shmangë policinë, e cila vazhdon të kontrollojë vendet dhe zonat ku ai ka shkuar muajt e fundit.

Shqiptari konsiderohet me rrezikshmëri të lartë, jo vetëm për shkak të plagosjes së trefishtë, por edhe për shkak të historikut të tij kriminal në Vlorë, ku është përfshirë në disa grabitje dhe në sulm me armë ndaj policisë.

Në vitin 2012, ai u arrestua pas një grabitjeje me armë në një karburant në Vlorë, gjatë së cilës hapi zjarr me kallashnikov në drejtim të policisë.

Më pas, ai fshihej në shtëpinë e një miku të tij derisa u arrestua. Ajo që e tradhtoi Idrizin, ishte fakti që kishte hequr kapuçin që mbante në kokë pas grabitjes dhe identiteti i tij u zbulua nga kamerat e sigurisë.

Një vit më vonë, ai u dënua me 13 vjet burg. I dyshuari u mbajt në burgun e Fierit dhe në vitin 2020 u lirua para kohe, ku vendimi shkaktoi bujë të madhe në vendin tonë, pasi 18 zyrtarë të burgjeve u akuzuan se e ndihmuan ta lironin.

Në Greqi, 37-vjeçari ishte vendosur vetëm muajt e fundit, ku u bë pjesë e një bande në zonën e Agios Pavlos.

Në vitin 1998, vëllai i tij u ekzekutua nga një bandë rivale dhe që prej asaj kohe 37-vjeçari qarkullonte me identitetin e vëllait të tij të vdekur, raportojnë mediat greke.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë