Ka ndodhur

Plagosi policin në Durrës, arrestohet shoferi i armatosur

Nga Gazeta Si – Një efektiv policie ka mbetur i plagosur mbrëmjen e së enjtes pasi është përplasur nga një automjet që lëvizte në sens të kundërt në lagjen numër 1 të Durrësit.

Mësohet se efektivët e Durrësit i kanë bërë shenjë të ndalojë makinën, por drejtuesi i automjetit Hysen Pici ka vijuar lëvizjen dhe nuk i është bindur urdhrit, duke përplasur punonjësit e policisë.

Për pasojë njëri prej efektivëve, i identifikuar si G.M., mbeti i plagosur rëndë dhe ndodhet në spital për ndihmë mjekësore.

“Sipas informacioneve një automjet lëvizte në sens të kundërt dhe Forcat operacionele të Durrësit i kanë bërë shenjë të ndalojë por drejtuesi i automjetit ka vijuar lëvizjen dhe nuk i është bindur urdhrit, duke përplasur dy punonjës policie, njëri prej të cilëve ndodhet aktualisht në spital për ndihmë mjekësore, jashtë rrezikut për jetën”, thuhet në njoftimin e policisë.   

Autori Hysen Pici është ndjekur me vrap nga efektivët, derisa ka rënë në pranga. Ai ishte në gjendje të dehur dhe i armatosur në makinën e tij “Range Rover”. Gjatë ndalimit policia ka qëlluar në ajër.

Dyshohet se Hysen Pici, me origjinë nga Shijaku, ishte nën efektin e lëndëve narkotike kur përplasi efektivët gjatë mbrëmjes së djeshme.

Mësohet se i është bërë edhe testi për drogë, por janë dërguar analizat në Tiranë.

Në Currila ku ndodhi ngjarja ka shkuar dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore për të verifikuar përgjigjen e policëve.

Policia thotë se grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon punën për sqarimin e plotë të  rrethanave dhe dokumentimin ligjor të kësaj ngjarjeje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë