Ka ndodhur

Plagosi me thikë 20-vjeçarin në ‘Qytetin Studenti’ në Tiranë, arrestohet autori i dyshuar

Gazeta Si - Një 19-vjeçar, i dyshuar si autor i plagosjes me thikë të një 20-vjeçari në “Qytetin Studenti”, është arrestuar këtë të premte.

Në lidhje me ngjarjen është proceduar edhe një 52-vjeçar, pasi dyshohet se i riu nga Kamza e ka blerë thikën tek ky person.

Sherri në fjalë ndodhi në ambientet e jashtme të një Fast Food-i, ku 20-vjeçari mori disa plagë të ndryshme në trup si pasojë e goditjeve dhe ndodhet ende në spital në kujdesin e mjekëve.

Sipas burimeve policore, mësohet se dy të rinjtë janë grindur për motive të dobëta, me pretendimin se po e shikonin "shtrembër njëri-tjetrin".

“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 1 arrestuan shtetasin A. A., 19 vjeç, banues në Kamëz, si dhe proceduan në gjendje të lirë shtetasin E. T., 52 vjeç, banues në Tiranë. Shtetasi A. A., ditën e djeshme, në “Qytet Studenti”, ka goditur me mjet prerës shtetasin A. D., i cili si pasojë është dëmtuar dhe ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve. Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se autori i dyshuar e ka blerë mjetin prerës nga shtetasi E. T”, njoftoi policia.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë