Ka ndodhur

Plagosi me pistoletë studenten në Vlorë, lihet në burg 30-vjeçari nga Shkodra

Gjykata e Vlorës ka lënë në burg, Fadil Likajn, i cili plagosi të shtunën me armë zjarri ish të dashurën e tij. Gjate seancës, e cila u zhvillua me dyer të mbyllura, Likaj ka dhënë gjeneralitetet dhe ka deklaruar se është dakord me avokatin e caktuar.

Ngjarja ndodhi më 25 shtator në një lokal në Vlorë. 30-vjeçari udhëtoi nga Shkodra për t’u sqaruar me të ish të dashurën, e cila kishte vendosur të ndahej.

Likaj, me sa duket nuk e ka pranuar dot refuzimin e 20-vjeçares, K.Z., nga Berati, e cila kërkonte t’i jepte fund lidhjes. Në sherr e sipër, ai e ka qëlluar me një plumb pistolete studenten, e cila për fat të mirë ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Debati mes tyre ka nisur menjëherë sapo janë takuar në lokal. Ndërsa dëshmitarët thanë se i riu e ka tërhequr vajzën zvarrë për disa metra dhe më pas i ka drejtuar pistoletën.

Në çantë, Likaj ka pasur edhe dy granata, ku njërën e hodhi në lokal, por fatmirësisht nuk shpërtheu, pasi kishte lënë pa hequr siguresën. Përpara hetuesve Likaj ka deklaruar se ka dashur vetëm ta trembë të renë dhe jo ta vrasë.

Ndaj tij, tashmë rëndojnë akuzat “vrasje e mbetur në tentativë ndaj dy ose më shumë personave” dhe “mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve luftarake.”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë