Gazeta Si - Merr fund arratia e policit Erion Goxhara, i cili dy ditë më parë plagosi me armën e shërbimit inxhinierin e ERE-s, Lorenc Kosta në zonën e "Komunës së Parisit" në Tiranë, pasi dyshonte se kishte marrëdhënie intime me gruan e tij.
“Në vijim të informacionit të dhënë më datë 19.08.2024, për ngjarjen e ndodhur në afërsi të një marketi në rrugën “Tish Daija”, sot, rreth orës 17:00, është vetëdorëzuar në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, së bashku me armën e shërbimit me të cilën ka kryer veprën penale, shtetasi Erjon Goxhara, 46 vjeç”, tha Policia e Tiranës në një njoftim për mediat.
Sipas burimeve parprake, pas vetëdorëzimit në polici, 46-vjeçari është shfaqur në kushte të rënduara psikologjike. "“Isha i tronditur”, mësohet të ketë thënë Goxhara në rajon pasi u vetëdorëzua.
Në deklarimet paraprake, ai ka thënë para kolegëve se është penduar për krimin e kryer dhe se plagosjen e ka kryer në kushte të rënduara psikologjike. Goxhara po vijon të merret në pyetje nga grupi hetimor.
Goxhara e qëlloi Kostën me 6 plumba në pjesën e gjymtyrëve duke e lënë të plagosur. Shkak për ngjarjen u bë lidhja sentimentale që 45-vjeçari kishte me bashkëshorten e efektivit të policisë.
“Të mësosh që mos të futesh më në familjet e të tjerëve dhe as t’i hash djersën e tjetrit”. Me këto fjalë iu drejtua efektivi i policisë Erjon Goxhara, Lorenc Kostës, pasi e qëlloi me 6 plumba.
Ndërsa policia vendosi në dispozicion 10 mijë euro për këdo që jepte informacion të saktë për lokalizimin e tij, ishte kunati i policit, i cili u përdor si negociator që ai të dorëzohej në komisariat.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.