Gazeta Si – Qani Muça, autori i plagosjes me armë zjarri të punonjësit të IMT-së Ilirjan Gavelli, është lënë në burg.
Gjykata e Tiranës ka vendosur këtë të hënë masën e sigurisë për 55-vjeçarin, i akuzuar për tentativë vrasjeje dhe armëmbajtje pa leje.
Ngjarja ndodhi më 12 gusht rreth orës 17:30 në kryqëzimin e rrugës “Todi Shkurti” në Tiranë me rrugën “Kristaq Capo” në zonën e “Astirit”.
Konflikti erdhi si pasojë e një vendimi të firmosur nga punonjësi i IMT-së për shembjen e shtëpisë së Qani Muçës.
Në gjykatë Muça ka pretenduar se arma nuk ishte e tij, por e punonjësit të IMT-së. Sipas tij, konflikti ka lindur pas provokimit të inspektorit, që i ka thënë se “nuk deshe të marrësh hyrje, rri mes 4 rrugëve tani”.
Ndërkohë Muça ka pretenduar se punonjësit e IMT-së i kanë vjedhur edhe rreth 80 mijë euro, që i ka pasur të fshehura në banesën e shembur tashmë.
Ai ka thënë se nuk ka pasur qëllim të plagoste punonjësin, por e gjitha erdhi si pasojë e nevrikosjes nga sherri.
Avokatja mbrojtëse e Qani Muçës, Ardjana Kalaja, hodhi akuza ndaj instuticioneve dhe kërkoi ndryshimin e akuzave që rëndojnë mbi 55-vjeçarin. Kërkesa e saj nuk u mor parasysh, ndërsa, Kalaja tha se do e çojë çështjen në Gjykatën e Apelit në Tiranë.
Gjatë dëshmisë paraprake nga spitali, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën, Ilirjan Gavelli është shprehur.
“Po largoheshim kur Qemali më shau dhe nxori pistoletën. U hodha për t’ia marrë armën dhe më qëlloi dy herë. Kur u përlesha me të për t’i marrë armën vinte era alkool, ishte i dehur”.
Qani Muça qëlloi 2 herë drejt inspektorit të IMT-së, ndërsa njëri nga plumbat kapi në një makinë të parkuar. Sakaq, gruaja e Qani Muçës ka deklaruar se nuk e dinte që burri kishte armë.
Punonjësit e policisë, që kanë dhënë deklarime për ngjarjen, kanë pohuar se ishin aty në mbështetje të aksionit të IMT, kur kanë dëgjuar të shtënat.
Sipas tyre, në momentin e shoqërimit të Muçës, ai nuk ka shprehur pendesë. “Këta duhen vrarë të gjithë, se janë kriminelë”.
Ndërkohë, prokuroria ka formuluar për Muçën dy akuza pas ngjarjes së rëndë, atë për “vrasje ndaj funksionarëve publikë” mbetur në tentativë dhe “armëmbajtje pa leje”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.