Ka ndodhur

Plagosi gjatë grabitjes çiftin Laze, ekstradohet nga Kosova Markeljan Cungu

Autori i dyshuar i disa vjedhjeve dhe grabitjeve me armë, Markeljan Cungu është ekstraduar të mërkurën nga Kosova në Shqipëri.

I riu 24-vjeçar, banues në Tiranë, është dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me 25 vite  burgim, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Vjedhja me armë”, e kryer në bashkëpunim e mbetur në tentativë, “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Plagosja e lehtë me dashje”.

Markeljan Cungu, u arrestua në dhjetor të vitit të kaluar në Kosovë, pasi ishte shpallur në kërkim nga autoritetet policore shqiptare.

Ai dyshohet si autor i grabitjes me armë në Allias, ku mbetën të plagosur çifti Petrit dhe Afërdita Laze në 19 janar 2020.

Dyshohet se bashkë me Fatjon Mertenikajn, ai hyri në banesë gjatë natës dhe qëlluan me armë duke plagosur fillimisht të zotin e shtëpisë Petrit Lazen dhe më pas bashkëshorten e tij, Afërdita Laze, të cilët në katin e parë të vilës kishin një biznes.

Në fakt, Cungu është një person me precedentë të pasur penalë, pasi është arrestuar dhe liruar disa herë, madje edhe në moshë më të mitur.  

Disa kohë më parë, në pranga ka rënë edhe vëllai i Merkljanit, Kevin Cungu, i dyshuar si autori i plagosjes së Rexhep Gjelit në rrugën “5 Maji” në kryeqytet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë