Gazeta Si – Plagosja e 35-vjeçarit Shpëtim Skura mbrëmjen e të martës në një lokal në Librazhd, ka qenë aksidentale.
Nga veprimet hetimore, dyshohet se rreth orës 18:00, shtetasi R. Biçaku (vëllai i shtetasit Albi Biçaku) është konfliktuar fizikisht me shtetasin R.H.
Më pas, Albi Biçaku ka shkuar në lokalin ku po qëndronte shtetasi R. H., ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të tavolinës ku ishte ulur ai dhe si pasojë është plagosur aksidentalisht në këmbë shtetasi Shpëtim Skura, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Në vijim të veprimeve për këtë rast, u arrestua në flagrancë vëllai i autorit të kësaj ngjarjeje, shtetasi R. Biçaku 33 vjeç, banues në Librazhd, për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve luftarake dhe municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Arrestimi i 33-vjeçarit u bë pasi gjatë kontrollit në banesën dhe në dyqanin e përbashkët me vëllanë e shpallur në kërkim si autor i plagosjes, policia gjeti dhe sekuestroi 1 armë zjarri pistoletë, 1 kallëp me lëndë plasëse e programuar për shpërthim në distancë, 1 karikator automatiku, 1 krehër pistolete, 136 fishekë dhe rreth 560 gamë kanabis.
Policia thotë se vijon puna për kapjen e shtetasit Albi Biçaku.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




