Ka ndodhur

Plagoset në një atentat me armë zjarri 54-vjeçari në Lezhë, u qëllua sapo dërgoi fëmijët në shkollë. Panik mes nxënësve

Gazeta Si – Një 54-vjeçar mbeti i plagosur me armë zjarri mëngjesin e kësaj të mërkure në fshatin Rrilë të Lezhës.

Policia thotë se Agron Puka ishte duke lëvizur me makinë kur u plagos nga një person i paidentifikuar, ndërsa autorët e qëlluan pak pasi kishte lënë fëmijët në shkollë.

Ai është transportuar në Spitalin Rajonal të Lezhës ku është në kujdesin e mjekëve, aktualisht jashtë rrezikut për jetën.

Sipas burimeve, pista kryesore e hetimeve është një konflikt i pak ditëve më parë mes tij dhe disa personave në Lezhë, por deri më tani nuk ka shumë detaje lidhur me këtë ngjarje.

Atentati duket se është i mirëmenduar, pasi dyshohet se autorët e kanë monitoruar 54-vjeçarin dhe sot në mëngjes pasi ka dërguar fëmijët në shkollë kanë gjetur momentin e duhur për të goditur.

Sipas hetimeve paraprake, autorët kanë qenë katër persona. Njeri prej tyre ka qëlluar me armë. Ngjarja ka krijuar frikë dhe panik te nxënësit dhe mësuesit e shkollës 9-vjeçare “Marash Gjoni” në Rrilë, pasi janë rrezikuar nga të shtënat me armë.

Puka ishte duke lëvizur me makinën e tij, kur u qëllua. Dyshohet se ka marrë një plumb në krah dhe aktualisht, ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.

Dëshmitari duke folur për mediat

Një dëshmitar është shprehur për mediat se breshëria e të shtënave u kujtoi vitin 1997. Për shkak të frikës, ai ka marrë fëmijët nga shkolla ditën e sotme.

“Normal që janë frikësuar fëmijët. Kriste automatiku si me qenë ’97 këtu. Çfarë është ai muhabet. Ky djali që e kanë plagosur është njeri i rregullt, familjar shumë i rregullt. Fëmijët ndjehen të tmerruar”, u shpreh një banor.

Ndërsa një fëmijë tregoi të gjithë dinamikën e ngjarjes e parë nga vetë ai nga klasa ku po mësonte.

“U ndalën këtu, një Audi i bardhë. Zbritën. Kanë rënë plumbat përtokë. Audi ka shkuar atje është kthyer tek karburanti dhe ka ardhur me dyer të hapura dhe janë futur në makinë e kanë ikur”, u shpreh ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë