Kandidati për President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, është qëlluar me armë zjarri gjatë fushatës së tij në Pensilvania.
Një plumb duket se e ka kapur në veshin e tij të djathtë, ndërsa menjëherë janë futur për ta mbrojtur truprojat.
Ai është plagosur në veshin e djathtë dhe sipas burimeve paraprake është "më tepër një gërvishtje". Trump mori mjekimin në spitalin e zonës dhe është në gjendje të mirë.
Shërbimi Sekret amerikan thotë se Trump tani është i sigurt dhe nën masa mbrojtëse. Një zëdhënës tha se Trump është "mirë" dhe iu referua incidentit si një "akt të urryer", por detajet mbi se çfarë ka ndodhur saktësisht mbetet ende të pa qarta.
Burime nga shërbimet sekrete për CNN thonë se atentatori është "neutralizuar". Sipas FBI atentatori që tentoi të vriste Trump është 20-vjeçari Thomas Matthew Crooks. Policia thotë së një pjesëmarrës u vra në miting dhe dy të tjerë u plagosën rëndë.
Trump u mbulua nga agjentët në skenë pasi u dëgjuan goditjet. Gjaku mund të shihej në fytyrën e tij, ndërsa ai ngriti një grusht drejt turmës teksa u largua me shpejtësi.
Foto e siguruar nga CNN shfaq Trump të gjakosur. Sipas raportimeve janë dëgjuar zhurma të shtënash me armë para se Trump të binte në tokë. Më pas ai është ngritur nga efektivët e Shërbimit Sekret dhe është larguar nga podiumi.
Zëdhënësi i ish-presidentit, Steven Cheung, tha për mediat se Trump po kontrollohet në një spital lokal dhe falënderoi forcat e rendit për ndërhyrjen e shpejtë.
Edhe pse u qëllua Trump ka dashur të mos fshihet, por me fjalët “prisni një sekond” drejtuar truprojave, ka dalë para publikut duke ngritur dorën, si për të thënë që është i pamposhtur.
Shërbimi Sekret tha në një deklaratë paraprake se Trump është i sigurt tani dhe se incidenti po hetohet prej tyre.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.