Ka ndodhur

Plagoset me armë zjarri gjatë një konflikti ish-kreu i PD në Peqin

Gazeta Si – Diell Çela, ish-kryetar i PD-së në Peqin në vitin 2013, është plagosur me armë zjarri nga Sokol Dehimi mesditën e kësaj të mërkure në Peqin. Ngjarja ka ndodhur në unazën e qytetit dhe sipas policisë shkak u bë një konflikt mes tij dhe 52-vjeçarit të identifikuar tashmë.

Çela, 55-vjeç, është paraqitur në spital për të marrë ndihmën mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Megjithatë, sipas burimeve paraprake, ngjarja nuk ka prapavijë politike, por ka lidhje me detyrën e bashkëshortes së Çelës, e cila punon si drejtoreshë e spitalit të Peqinit.

Gjithnjë sipas burimeve, bashkëshortja e të plagosurit mësohet se ka larguar nga puna gruan e autorit të dyshuar, Sokol Dehima dhe për këtë arsye kanë lindur konfliktet.

Policia ka ngritur pika kontrolli me qëllim kapjen e autorit, 52 vjeç, ndërsa grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë