Gazeta Si – Dy shqiptarë në Itali kanë qenë shënjestër e një atentati me armë zjarri mbrëmjen e të shtunës në zonën e Turates në Komo të Italisë.
Sipas mediave italiane, dy shqiptarët, të identifikuar si Indrit Lleshaj 44 vjeç dhe Artan Lazar 42 vjeç, kanë mbetur të plagosur dhe janë në gjendje të rëndë në siptal.
Dy të plagosurit udhëtonin me një makinë “Audi Q5”, kur iu bë pritë nga një makinë tjetër. Menjëherë aty mbërriti një motor me dy persona të maskuar, të cilët nisën të godisnin xhamin e përparmë të mjetit për ta thyer.
Sapo dy shqiptarët nisën të zbrisnin nga makina, ata u qëlluan me armë, duke marrë plagë në gjoks dhe në qafë. Autorët, të paidentifikuar deri tani, u larguan me shpejtësi nga vendngjarja.
Shqiptarët e plagosur u dërguan në spital dhe ju nënshtruan operacionit. Gjendja e tyre konsiderohet e rëndë, veçanërisht e njërit prej tyre, raportojnë mediat italiane.
Dy shqiptarët mbetën në tokë të plagosur, ndërsa motorçikleta dhe makinat u larguan. Autoritetet kanë nisur hetimet, ndërsa janë sekuestruar edhe kamerat e sigurisë, të cilat kanë filmuar ngjarjen.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.