Partia e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) mori përgjegjësinë për sulmin terrorist mëngjesin e sotëm në Ankara, përballë ndërtesës së Ministrisë së Brendshme.
“Një akt sakrifice u krye kundër Ministrisë së Brendshme turke nga një grup i lidhur me Brigadën e të Pavdekshmëve”, tha grupi i armatosur për median e lidhur me kurdët ANF.
PKK është klasifikuar si organizatë terroriste nga Turqia dhe shumë vende perëndimore.
Këtë të dielë në mëngjes, pak para ceremonisë së hapjes së vitit të ri parlamentar, shpërthime dhe të shtëna armësh janë dëgjuar në Ankara dhe më konkretisht në rrugën İsmet İnönü, ku ndodhet Asambleja e Madhe Kombëtare Turke dhe ministritë.
Një sulmues hodhi veten në erë me një mjet shpërthyes në zemër të kryeqytetit turk, Ankara, të dielën, disa orë përpara se parlamenti të rihapte punimet pas pushimit veror. Po ashtu një sulmues i dytë u neutralizua në një shkëmbim zjarri me policinë.
“Ky aksion ishte planifikuar enkas për hapjen e parlamentit dhe në afërsi të ndërtesës, e cila është një qendër masakrash dhe torturash. Sulmi u krye sipas planit dhe pa asnjë pengesë, bashkëluftëtarët tanë të cilët e realizuan këtë aksion sakrifice, kaluan postën e rojes dhe depërtuan brenda zonës së sigurisë, ia dolën me sukses dhe ia arritën qëllimit”, thuhet në deklaratën e PKK.
“Ky veprim është një akt mbrojtjeje legjitime ndaj shpërfilljes së të drejtave të njeriut që po shkelen kundër ligjeve kombëtare dhe ndërkombëtare; kundër praktikës çnjerëzore dhe politikës së izolimit që po zbatohet në të gjitha burgjet e Turqisë dhe Kurdistanit; kundër përdorimit të armëve kimike kundër forcave tona guerrile, pavarësisht nga vlefshmëria universale e Konventës për Armët Kimike; kundër plaçkitjes së natyrës sonë dhe ekocidit në Kurdistan; kundër shtypjes së popullit kurd dhe të të gjitha qarqeve demokratike. Nëse regjimi i Turqisë nuk ndalon krimet e tij gjenocidale dhe me motive fashiste, veprimet legjitime në kuptimin e drejtësisë revolucionare do të vazhdojnë”, thuhet më tej në deklaratë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.