Kosova

Pjesëmarrja e Kosovës, Spanjës iu garantua se Samiti i Bërdos do të jetë pa simbole shtetërore

E përditshmja spanjolle nga rajoni i Katalonjës, El Nacional, raportoi të mërkurën se presidenti i Qeverisë spanjolle, Pedro Sanchez, do merrte pjesë në samitin mes Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor në Slloveni, mirëpo këtij vendi i është garantuar që në takime nuk do të ketë simbole shtetërore, pasi Spanja nuk e njeh shtetësinë e Kosovës.

Në këtë samit, Kosova përfaqësohet nga kryeministri, Albin Kurti, ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla dhe ministri i Financave e Punës, Hekuran Murati.

Ky samit i rregullt, është mbajtur vitin e kaluar përmes video-lidhjes, për shkak të pandemisë së koronavirusit, ndërsa më 2018 në të nuk ka marrë pjesë ish-presidenti spanjoll, Mariano Rajoy, për shkak të pjesëmarrjes së Kosovës.

Edhe në takimin përmes video-lidhjes, simbolet që identifikojnë Kosovën si shtet janë shmangur, dhe njësoj pritet të ndodhë edhe këtë vit.

Bashkë me Spanjën, edhe katër shtete tjera të Bashkimit Evropian nuk e njohin shtetësinë e Kosovës: Greqia, Rumania, Qiproja dhe Sllovakia.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë