Gazeta Si – Gjykata Kushtetuese ka vendosur shfuqizimin e vendimit të ekstradimit të shtetasit Gentian Manaj drejt Italisë.
Më herët, Gjykata e Lartë kishte vendosur ekstradimin në Itali të Manajt, i cilësuar si kreu i ‘Los Blancos’, që merrej me trafikimin e drogës nga Amerika Latine drejt Evropës, por Kushtetuesja mori vendimin që çështja të dërgohej për rishqyrtim.
Çështja tashmë do të merret në shqyrtin nga Gjykata e Lartë. Fillimisht ekstradimin drejtë Italisë e dha Gjykata e Tiranës, vendim që u la në fuqi nga Apeli.
Pas kësaj u bë rekurs në Gjykatë të Lartë dhe nuk u pranua. Pas mospranimit, Gentjan Manaj e dërgoi çështjen në Gjykatën Kushtetuese, duke pretenduar antikushtetueshmërinë dhe se ai nuk ishte identifikuar në lidhje me veprën penale.
Manaj, 35 vjeç, i njohur edhe me emrin Myzafer, u arrestua në 15 shtator në kryeqytet, gjatë një operacioni ndërkombëtar droge të koduar “Los Blancos”, pasi dyshohet se është pjesë e një karteli shqiptar që trafikonte sasi të mëdha droge nga Amerika Latine drejt Evropës.
Gjatë operacionit, ranë në pranga 5 shqiptarë, të cilët u prangosën në vendin tonë, ndërsa 5 të tjerë u arrestuan në shtete të tjera.
Ai u prangos pas një urdhri ndërkombëtar nga Interpol Roma në Itali, pasi Gjykata e Firences kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “arrest me burg”. Drejtësia italiane e akuzon Manajn për “organizatë kriminale” dhe “trafik ndërkombëtar droge”.
Operacioni “Los Blancos” konsiderohet më i madhi i këtij lloji ndonjëherë kundër krimit të organizuar shqipfolës me pjesëmarrjen e Italisë dhe Holandës, në të cilin palët kanë punuar ngushtë së bashku për pesë vjet. Rreth 4 tonë kokainë dhe mbi 5.5 milionë euro janë sekuestruar gjatë këtij hetimi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




