Nga Gazeta Si – Një 41-vjeçar, i cili ishte shpallur në kërkim nga autoritetet italiane, ka rënë në prangat e policisë. P. S., akuzohet se është pjesë e një grupi trafiku droge në Itali, ndërkohë që arrestimi i tij është bërë me qëllim ekstradimi drejt shtetit fqinj.
Në operacionin e koduar “Operacionalja 3” në Kamëz, u lokalizua dhe u arrestua provizorisht, për t’u ekstraduar në Itali, shtetasi i shpallur në kërkim ndërkombëtar P. S, 41 vjeç, banues në Kamëz, Tiranë. Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane, pasi Gjykata e Perugias, Itali, në vitin 2023, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal me qëllim trafikimin e narkotikeve”, parashikuar nga Kodi Penal Italian.
Në vitin 2022, ky shtetas në bashkëpunim me disa shtetas të tjerë krijuan grup kriminal me qëllim trafikimin dhe më pas shitjen e kokainës në sasi të ndryshme. Interpol Tirana dhe Interpol Roma po bashkëpunojnë për të kryer ekstradimin e këtij shtetasi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




