Drejtësia

Pjesë e një grupi kriminal për shitje armësh, GJKKO dënon me 8 vite e 8 muaj burg Akil Kullën, nipin e Nehat Kullës

Gazeta Si - Gjykata e Posaçme ka dënuar me 13 vite burg Akil Kullën, si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal dhe për mbajtje e prodhim të armëve shpërthyese.

Nipi i Nehat Kullës ka përfituar nga gjykimi i shkurtuar dhe dënohet përfundimisht me 8.8 vite burg. GJKKO ka vendosur që Akil Kulla do ta vuajë dënimin në një burg të sigurisë së lartë.

"Në aplikim të nenit 55 të Kodit Penal, bashkimin e dënimeve në një të vetëm duke u dënuar i pandehuri Akil Kulla me 13 (trembëdhjetë) vjet burgim. Në aplikim të nenit 406 pika 1 të K.Pr.Penale, ulet 1/3 e masës së dënimit duke u dënuar përfundimisht i pandehuri Akil Kulla me 8 (tetë) vjet e 8 (tetë) muaj
burgim", - thuhet në njoftim

Në 4 prill 2021, 18 baza modifikimi, magazinimi dhe shitje armësh u zbuluan nga policia në Tiranë. Këto armë, u shiteshin grupeve kriminale për të kryer atentate dhe vrasje.

Në pranga ranë edhe Paris Prenga, Bledar Deda, Flor Abazi, Bujar Jaupi dhe Arben Sufa dhe Sokol Xhura.

Të përfshirë në këtë ngjarje janë edhe kushërinjtë Enver dhe Ermond Jamaku, të cilët sipas prokurorisë kanë bashkëpunuar me të arrestuarit në kuadrin e grupit të strukturuar kriminal.

Sipas hetimeve, SPAK dhe policia arritën të zbulonin 18 baza armatimi në kryeqytet në banesat dhe ambientet në zotërim nga Sokol Xhuras e Akil Kullës, ku u sekuestruan me dhjetëra armë zjarri të sofistikuara.

Të pandehur për armëmbajtje pa leje u dërguan në gjykatë edhe Arben Sufa, Bujar Jaupi dhe Petrit Shera. Në të gjitha rastet, Prokuroria tha se ngjarjet kriminale janë kryer në këmbim të vlerave monetare dhe për llogari të personave të tjerë, ende të paidentifikuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë