Gazeta Si - Një 28-vjeçare, e cila ishte shpallur në kërkim në kuadër të megaoperacionit policor të koduar “Harta”, është ndaluar nga policia kufitare në aeroportin e Rinasit.
Arlinda Rama u arrestua, pasi prokuroria ka lëshuar urdhër ndalimi, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.
Ajo ishte shpallur në kërkim pas goditjeve të dy grupeve kriminale, shpërndanin lëndë narkotike kanabis, heroinë dhe kokainë, në lokale nate dhe në afërsi të shkollave, në zona të ndryshme të Tiranës, ku u arrestuan 20 persona.
E reja po kthehej nga jashtë shtetit, pasi ishte larguar një javë para operacionit policor.
Kreu i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj në konferencë të posaçme për mediat në lidhje me aksionin antidrogë bëri më dije së janë sekuestruar 2 kg kokainë, 300 doza kanabis, 130 doza heroinë, 5 mln lekë, 11 automjete dhe 29 aparate celulari.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.