Can Kariçi 35 vjeç, u qëllua në ecje nga një makinë tip “Audi” ngjyrë e zezë, që besohet se është e vjedhur ashtu si edhe targat.
Një kamera sigurie pranë biznesit, bar lokal “G”, ka filmuar lëvizjet e fundit të viktimës, të cilit iu bë atentat menjëherë sapo mbaroi kafenë.
Viktima, me të kaluar problematike, që nga armëmbajtja pa leje, deri tek tentativa për të vrarë Roland Mustafën, sipas burimeve kryente lëvizje të kontrolluara, sidomos pas një krimi të ndodhur një muaj më parë në zonën e “Astirit”.
Departamenti i hetimit të vrasjeve, i thotë paraprakisht Gazetasi.al, se janë të bindur që nën tokën e krimit po ndodhin eliminime midis dy grupeve, ashtu si Gazetasi.al, raportoi ekskluzivisht pas atentatit të dyfishtë që eliminoi pranë zonës së “2 Rrathëve”, Erigers Mihasin dhe Armando Dumanin.
Hesapet e pambyllura me “klanin Duka”
Edhe viktima e tretë, në krye të një muaji, ka dyshime të forta se bën pjesë në të njëjtin grup dhe sipas policisë, eliminimi i tij me kallashnikov, është kryer për llogari të një grupi të njohur, si “klani Duka”.
Por policia preferon të komentojë jo zyrtarisht se ky grup ka përplasje me Ervis Martinajn, që siç kuptohet nga ngjarjet gjatë nëntorit dhe dhjetorit, po humbet shokët e tij në rrethana që ende nuk po gjenden autorët.
Kishte të dyshuar edhe për vrasjen e dyfishtë dhe gjatë nëntorit, kontrolli policor në banesën e të dyshuarit Elvis Gaçaj, rezultoi jo efikas, për të cilin gruaja e tij tha se ditën e ngjarjes ai kishte dalë për peshkim dhe se nuk mbante telefon me vete.
Ndonëse policia sekuestroi 35 kamera sigurie në rrugët e Tiranës, gjatë përpjekjeve për të identifikuar vrasësit, ky krim vijon ende i pa zbardhur, kurse mekanizmi është i njëjtë me atë të asgjësimit të Kariçit.
Lufta për tregun e basteve
35-vjeçari, sipas burimeve të Gazetasi.al, konsumoi një kafe në ambientet e bar kafesë në Kodër Kamëz dhe më pas u largua, duke lënë në këtë vend vajzën me të cilën u shoqërua gjatë orëve të fundit.
Prej vitit 2019, një sërë ngjarjesh vijojnë të prodhojnë viktima pas përplasjes me “klanin Duka”, midis të cilëve, dy vëllezërit, Erlis dhe Leonard Duka, Dritan Agaj dhe Aleksandër Manxhaku, që kanë mbi shpinë akuzën e vrasjes së ish- policit, Santiago Malko.
Viktima, krah i palës kundërshtare për policinë, administronte lojëra fati në vend dhe njeriu që raportoi lëvizjet e shënjestrës, po përballet me strukturën kundër krimit të organizuar.
Megjithëse SPAK insiston se lufta nisi për të dominuar tregun e basteve, krisja e parë mes grupeve dyshohet se nisi nga angazhimi i Malkos që tentoi të vrasë Erlis Dukën, por që asnjëherë nuk u provua.
Vrasësit e dinë përherë
Mënyra se si eliminojnë njëri-tjetrin, edhe kur kundërshtari qarkullon me mjet te blinduar, vërteton se krimi zotëron informacionin dhe infrastrukturën.
Kur Mihasi dhe Dumani ishin të bindur se ata nuk po i ndiqte askush dhe shmangën baret publike, vrasësit ishin pas tyre në zonën e Unazës së Re.
Ata qëlluan egërsisht me automatikë, duke e mbushur makinën e viktimave me gëzhoja plumbash dhe më pas e dogjën mjetin e tyre shumë kilometra larg skenës së krimit.
“Përdorin përherë e më shumë roje që ndjekin shënjestrën që janë anëtarë të grupeve të tyre, lëvizin me armë të rënda dhe largohen sa hap e mbyll sytë, me automjete të vjedhura e targa të vjedhura në qytete të ndryshme”, – deklaron një ekspert kriminalistik, që me këtë deklaratë pranon se për të parandaluar hakmarrjet, është dështuar.
“Marrim Kariçin si shembull, i shoqëruar disa herë, madje në proces gjyqësor në Kurbin, që e kishte zonën e tij të sigurt, ai e ngushtoi perimetrin, duke qëndruar mes njerëzish dhe në zonën që e njihte pranë shtëpisë së tij. E gjetën dhe aty dhe sipas dinamikës, rruga më e lehtë për t’u larguar është drejt zonës së Fushë Krujës”.
Analiza pa rendiment
Pas ngjarjeve të rënda, njëra në Vlorë dhe tjetra në Kodër Kamëz që për nga mënyra si janë kryer shtojnë bindjen se i përkasin krimit të organizuar, departamenti i hetimit të krimeve të rënda, ka kryer sërish mbledhje sipas burimeve të Gazetasi.al.
Por në përfundim, përveç detyrave të ngarkuara për vartësit, urdhrave për përgjime dhe vëzhgime, rezultatet për të çuar vrasësit në burg, janë tepër larg.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.