Pas disa qëndrimesh në distancë për “dekriminalizimin”, ambasadorja amerikane Yuri Kim me kryeministrin Edi Rama u shfaqën bashkë në nisjen e punës për zbatimin e projektit të rijetëzimit të piramidës që ka si synim krijimin e kushteve optimale për Qendrën më të madhe Digjitale në rajon.
Duke folur në ceremoninë e nisjes së zbatimit për projektin e piramidës, kryeministri Rama tha se një nga pikat e platformës për Shqipërinë e vitit 2030 është krijimi i hapësirave të reja për aftësimin e të rinjve në botën e internetit.
“…Uroj që koha në kërkim të programit të kësaj godine nuk ka qenë kohë e humbur, por na ka dhënë mundësinë që ideja që sot e bën projekt ambicioz, të merrte formë bashkë me zhvillimet e shpejta që na ka sjellë koha digitale.
Kjo godinë është në një kohë edhe foleja e gatshme për të pritur ekstremin e hapësirës së lirisë përmes krijimit të kushteve për më të rinjtë që të hyjnë në botën e universit digital.
Sot projekti i plotëson të gjitha kushtet për t’i qëndruar kohës dhe për t’i ndihmuar të gjithë që të mos harrojnë se nga vijnë. Kjo godinë është gati t’i shërbejë ekstremit të kundërt të asaj që donte Enver Hoxha…
Ajo që ne jemi duke përgatitur për të çuar në fazë të re revolucionin është shtrirja në çdo qytet e rrjetit të një programi për të rinjtë që duan të vënë në punë aftësitë e tyre në rrjetet digitale shumë më tepër se do fitonin po të shkonin në Gjermani.
Ne po përgatisim një nga pikat e platformës sonë të Shqipërisë së vitit 2030, krijimin e hapësirës së re për aftësimin sa më cilësor të të rinjve të sotëm për të qenë nesër pjesë e këtij tregu të madh që vetëm mund të zgjerohet dhe jo të ngushtohet”, tha Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.