Mjeku Pëllumb Pipero thotë se fundi i epidemisë së koronavirusit në vendin tonë ka filluar, por fajëson Shkodrën për dyfishimin e rasteve të reja me të infektuar përgjatë fundjavës.
“Kjo epidemi ka disa indikatorë, në radhë të parë monstrat për të bërë analizat apo gjurmimin e rasteve të kontaktit që e vlerësoj efikas nga të dhënate ISHP që janë gjurmuar 60- 70% të rasteve dhe është një shifër optimale sipas OBSH. Diku besoj unë se shifrat që lamë pas janë 30- 40 raste më pak se një javë më parë, por diku situata ka çaluar”, deklaroi ai në një intervistë për Neës24.
Ajo që ka shkuar keq, sipas tij në Shkodër mund të shpjegohet vetëm me dy arsye, ose qytetarët nuk kanë respektuar masën e distancimit fizik, ose puna e Institutit të Shëndetit Publik në Shkodër ka çaluar në gjurmimin e kontakteve të personave të infektuar dhe kërkon një analizë për këtë rast.
“Nëse shohim rastet në Shkodër 13 nga dita e djeshme dëshmon se në Shkodër nuk janë respektuar masat, ose nuk janë gjurmuar rastet e kontaktit si duhet. 21 dhe 29 raste nuk është diferencë shumë e madhe mes javëve, por duhet të analizohet pse. Si mund ta bëjmë më mirë dhe për të monitoruar që të gjurmojmë më shpejt dhe të monitorojmë në tërësi përhapjen e kësaj pandemie në vendin tonë”, thotë ai.
Megjithatë, ai është i bindur se shifrat mbeten brenda parametrave normalë dhe parashikimeve të ekspertëve dhe fundi i epidemisë ka filluar.
“Unë e kam thënë që java që sapo mbyllëm do të jetë në numër shumë më të vogël, mund të ketë oshilacione. Janë më të ulëta, por fundjava ka pasur rritje të qëndrueshme. Por bazuar në përhapjen e pandemisë në vendet e tjera prisja që të kishte ulje. Fundi i kësja epidemie ka filluar, por në këtë pikë është e domosdoshme njohja dhe monitorimi i situatës, që qytetarët të respektojnë vendimet e qeverisë. Ju them të gjithëve sa kohë nuk kemi mjekim të certifikuar dhe një vaksinë, e vetmja mundësi për të shmangur rastet, për të ulur kurbën për të mos përmbytur kapacitetet shëndetësore është respektimi i masave të qeverisë. Është esenciale të durojmë edhe pak”, u shpreh ai.
Sipas Piperos, mesi i muajit maj mund të jetë periudha më e afërt kur mund të shihet lehtësim i masave kufizuese.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.