Filma

‘Pinoku’, profecia e përmbushur e Guillermo del Toros në historinë e një fëmije të vdekur

Një version i Pinokut, (Pinocchio) i krijuar nga Guillermo del Toro dukej si një profeci kinematografike. Tema kryesore e vizionit të tij kinematografik është, në fund të fundit, dashuria për ata që të tjerët do t'i shihnin si të çuditshëm, të jashtëm ose të papërshtatshëm.

Regjisori meksikan e nisi punën e tij si një ilustrator për efektet speciale para se të bëhej bashkëpunëtor në filmin e tij të parë, “Cronos”, 1993. Që atëherë ai ka ndërtuar një karrierë ndërkombëtare në Spanjë dhe SHBA. Në vitin 2017 u bë fitues i çmimit Oscar për regjisorin më të mirë në filmin “The Shape of Water”.

Nuk është çudi që ashtu si "Cronos" ka të bëjë me një vajzë që përpiqet të mbrojë gjyshin e saj të pavdekur, Pinoku përfshin një baba që përpiqet të mbrojë zëvendësuesin e djalit të tij të vdekur. Pinoku është një miks i elementëve kyç që përfaqësojnë Del Toron deri më tani.

Si një studiues i punës së Del Toros, unë e intervistova atë në 2015-n. Ai foli dhe për synimin e tij për të risjellë Pinokun dhe besimin e tij se “animacionet janë zhanri i së ardhmes”.

Guillermo del Toro mban kukullën e përdorur për Pinocchio në stop-motion, Gazeta 'SI', 2022

Ai shpjegoi se e vetmja gjë që i pengonte ambiciet e tij ishte një "mënyrë për të kapur rastësinë".

Qartazi ai e ka gjetur atë. Përshkrimi i tij i botës së Pinokut ka një stil të kënaqshëm, të rrëmujshëm, të rastësishëm, e palëmuar, njësoj si Pinoku, i cili është gdhendur nga një Xhepeto i dehur dhe i pikëlluar.

Gdhendja e papërfunduar e Pinokut dhe pjesërisht e thyer, është një simbolikë për statusin e tij të jashtëm. Del Toro rikthen përsëri të mospërshtaturit, të shpërfillurit dhe të privuarit nga të drejtat, njerëz që kishin humbur në botën plot kaos.

Shumë shikues u njohën me Del Toron në 2006-n, me “Pan’s Labyrinth”, historia e Ofelias së re, e ngecur në një lidhje manipulative dhe plot të liga me njerkun e saj fashist, kapiteni Vidal.

Ofelisë i ofrohet një arratisje përmes një grupi sfidash të tmerrshme nga Fauni misterioz (kostumi i të cilit është bërë, rastësisht, nga druri ndoshta një tjetër referencë për Pinokun) në një përrallë të krijuar kundër Luftës Civile Spanjolle.

Nocioni i fëmijëve të braktisur që luftojnë për të ndryshuar fatin e tyre mund të vërehet në shumë filma të regjisorit.

Në “The Devil’s Backbone” (2001) ne shikojmë Carlos, një djalë 12-vjeçar, jetim, që e gjen veten në një jetimore të përhumbur gjatë luftës civile në Spanjë, rrethuar nga rreziku.

Në “Hellboy” (2004), një fëmijë-demon është lëshuar nga nazistët që të lëshojë superfuqitë e tij dhe shpëtohet nga një shkencëtar që e rrit atë në mbrojtje të civilizimit. Ai bëhet një figurë babai, por më vonë vdes, duke e lënë Hellboy-n të vetëm dhe të mallkuar nga diferenca e tij.

Pinoku i Guillermo del Toros është kulmi i angazhimit të regjisorit me fëmijët e braktisur dhe të padëshiruar. Në veprën e del Toros, këta fëmijë bëhen simbolikë të së ardhmes së një bote në luftë.

Një tallje për fashizmin

Del Toro e vendos Pinokun në një Itali fashiste, ku bombat ushtarake kanë vrarë djali e vërtetë te Xhepetos, duke e trazuar ngjarjen. Disa mund ta shohin përzierjen e reales dhe fantazisë si të trashë. Por përmes angazhimit të Del Toros për paraqitjen e botëve të tij, pamja e fantazisë nuk bëhet kurrë e papërshtatshme, por duket po aq pjesë e strukturës së realitetit sa bombat e regjimit fashist.

Pinocchio interpreton në një cirk, Gazeta 'SI', 2022

Kryeministri italian Benito Musolini bën një paraqitje në një shfaqje cirku nga Pinoku dhe përshkruhet si një burrë-fëmijë qesharak dhe i fryrë. Pinoku supozohet të japë një shfaqje servile, por në vend të kësaj shkon jashtë skenarit, duke tallur në mënyrë komike regjimin. Kjo tregon më tej fëmijërinë groteske të vendosur nga agjenda fashiste në një mënyrë që të kujton përshkrimet e famshme të Charlie Chaplin të Hitlerit dhe globit të tij lundrues.

Animacionet aspak të zakonshme

Filmi “Pinoku” është animacioni i parë i Del Toros në këtë stil.

Stili i "stop-motion" ofron një alternativë vizualisht mahnitëse, një estetikë e gjallë dhe e pisët, e cila i bën jehonë elementeve më të errëta dhe më të maturuar të versionit të Del Toros. Aty është hequr dhe pjesa e animacioneve ku synohet përafrimi i personazheve sa më shumë me njerëzit. Në Pinokun e Del Toros, të gjitha personazhet duke ndryshe dhe prezenca e një fëmije prej druri që flet, duket se nuk i shqetëson shumë të tjerët.

Në vend të kësaj, në thelb të filmit është një mesazh për njerëzimin, i përmbledhur nga fjalia e djalit prej druri se "jeta është një dhuratë kaq e mrekullueshme". Kjo ndjenjë, së bashku me një sekuencë mbyllëse zemërthyese e bëri edhe më prekëse për shkak të rëndësisë së botës reale që kalon nëpër film.

Është një vepër që mbron të ardhmen e të rinjve dhe hedh dritë mbi kotësinë fëminore të luftënxitjes. Duke përdorur fantazinë dhe trillimet e zhanrit, Del Toro edhe një herë u jep zë atyre që janë ndryshe, që shpërfillen dhe që etikoheten si "të çuditshëm".

Nga Keith McDonald, “The Conversation”/Përshtati: Gazeta ‘SI’


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë