Kombetarja

Pinari analizon Anglinë: I druheshim goleadës, mund të kishim 2-3 emra ndryshe

Nga Fatjon Rupi – Humbja lë gjithmonë një shije të keqe, edhe kur ajo është e paralajmëruar nga fakti që kundërshtari është i një niveli shumë më të lartë, siç është Anglia. Kuqezinjtë pësuan humbjen e parë në këto eliminatore, nuk shfrytëzuan një shans të artë me Uzunin, gabuan në disa fragmente të lojës dhe në fund nuk lanë shenjë. A mund të bënte Kombëtarja jonë diçka më shumë ndaj Anglisë?

Luan Pinari, specialist futbolli. Gazeta Si, 29 mars 2021

Luan Pinari, ish-lojtar i Kombëtares dhe tre klubeve të kryeqytetit, për Gazeta Si bën një analizë të asaj çfarë dha Shqipëria në fushën e blertë: “Ishte një ndeshje, ku u duk qartë se diferencat mes skuadrave janë shumë të mëdha. Edhe po të gabonte kundërshtari, e kishte forcën për të na rikuperuar përsëri. Anglia është një nivel shumë i lartë.

Nëse do të përpiqeshim të bënim më shumë në lojën sulmuese, do të rrezikonim më shumë prapa dhe mund të pësonim një goleadë. I druheshim një goleade të mundshme të kundërshtarit. Edhe kur ishim 0-2, ata mund të godisnin sërish, nëse e humbnim përqendrimin”, – thotë fillimisht.

Uzuni gjatë ndeshjes me Anglinë. Gazeta Si, 29 mars 2021

Më pas specialisti ndalet te strategjia e zgjedhur nga trajneri Edi Reja dhe interpretimi i saj. “Reja bëri atë zgjedhje, ndoshta edhe ai vetë pas ndeshjes mund të ketë dyshimet e veta, është normale. Trajneri mendon një skemë, pastaj gjithçka varet nga interpretimi i lojtarëve dhe përzgjedhja e tyre. Mund të kishim 2-3 emra të ndryshëm në formacion.

Memolla? Mendoj se trajneri e futi për siguri, pasi ashtu e kishte përgatitur ndeshjen. Memolla është lojtar statik dhe pastaj, me futjen e Lenjanit, mund t’i jepte diçka më shumë sulmit, nëse ndeshja do të ishte barazim 0-0. Kritika ndaj trajnerit mund të ketë, por them se kushdo që të ishte trajner, edhe unë vetë i pari, ashtu do të luaja ndaj Anglisë, sepse ndryshe rrezikon të pësosh shumë gola.

Nuk mund ta lësh një lojtar si Sterling me mbulim një kundër një, ose një lojtar si Kejn. Problemi është që në këto dy ndeshje të para, si me Andorrën, ashtu edhe me Anglinë, kur kundërshtari na lë të luajmë, ne nuk dimë ta qarkullojmë si duhet topin. Na duhet një lojtar për tranzicionin e lojës, na duhet një Hykë. Kosova, për shembull, i pëson tre gola, por edhe mund t’i shënojë tre gola. Ne nuk e pranojmë dot faktin që të marrim tre gola”, – shprehet kryeqytetasi.

Nga ndeshja Shqipëri-Angli, 0-2. Gazeta Si, 29 mars 2021

Pinari gjykon se humbja me Anglinë nuk duhet përjetuar si dramë: “Nuk është barometër Anglia për ne. Të gjitha ekipet ndaj kundërshtarëve të fortë, kështu luajnë. Bullgaria ndaj Italisë luajti vetëm dhe vetëm në mbrojtje, Rumania po ashtu ndaj Gjermanisë gjithë kohën në mbrojtje. Dhe Bullgaria dhe Rumania dihet që janë skuadra të mira, të forta.

Nuk jemi vetëm ne që e bëjmë këtë mënyrë loje ndaj një kundërshtari të fortë. Edhe Hungaria mendoj se me Anglinë kështu si ne do të luajë. Gabimi i Gjimshitit te goli i dytë? Gaboi, sepse nuk di ku ta pasojë topin. Nuk i vë faj asnjë lojtari te golat, sepse e bën diferencën niveli i lojtarëve të Anglisë, që nuk të falin”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë